Të përzgjedhurit, nën monitorim nga uniformat blu
Specialistët e letërsisë do të mblidhen sot në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Të përzgjedhurit do të qëndrojnë të “ngujuar” për 8 ditë me radhë në ambientet e AVA-s, pasi do të punojnë për hartimin e tezës së provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore, atë të letërsisë. Specialistët do të dalin nga ato ambiente më datë 1 qershor, ditën kur do të zhvillohet provimi i kësaj lënde në të gjitha shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale. Gjatë 8 ditëve të qëndrimit të mbyllur, specialistët do të jenë të monitoruar nga uniformat blu, në mënyrë që të mos zbulohet sekreti i kombinimit të pyetjeve të testit final. Provimi do të përmbajë 25 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet atyre që kërkojnë përgjigje të argumentuara dhe pyetjeve me alternativa. Në programet shkollore të drejtimit të përgjithshëm për provimin e letërsisë, gjuha shqipe, përfshirë edhe të shkruarit, do të zërë 26 për qind të pyetjeve, që do të përmbajë testi, ndërsa letërsia 74 për qind. E njëjta linjë do të ndiqet edhe për tezat e provimeve, që do të hartohen për llojet e tjera të shkollave të mesme në vend. Tezat e provimit do të klasifikohen në varësi të llojit të shkollës së mesme që ka kryer maturanti. Në përzgjedhjen e kandidatëve fitues, që do të pranohen në universitete, rol të rëndësishëm do të luajë jo vetëm rezultati i arritur në katër provimet e Maturës Shtetërore, por edhe mesatarja e shkollës së mesme, si dhe koeficientët e ndryshëm të përcaktuar në bazë të shkollës përkatëse. Mesatarja e shkollës së mesme, si edhe notat e të katër provimeve (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara) do të vlerësohen me 20% të numrit të përgjithshëm të pikëve të rezultatit final që do të mbledhë secili prej aplikuesve. Ndërkohë që shkollat e mesme kanë nisur punën për përgatitjen e ambienteve, ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore.
#