E Diel, 1 Nëntor 2026

Teknologjia dhe informacioni, shkolla profesionale në rrethe

Pritet të kryhen disa ndryshime në ligjin që përfshin arsimin e mesëm profesional

Investimet dhe prioritetet me të cilat do të stimulohet arsimi profesional do të jenë edhe më ambicioze se në sistemet e tjera parauniversitare. Madje shtrirja e shkollave që do të mësojnë nxënësit për t’u bërë teknikë apo specialistë do të jetë edhe më e gjerë. Ministria e Arsimit ka në projekt të saj ngritjen e disa shkollave profesionale për teknologjinë dhe informacionin, jo në Tiranë, por në rrethe. Bashkëshoqërues në këtë projekt është edhe një tjetër, ai i amendimit të ligjit ku përfshihet arsimi profesional.

Ndryshimet

Konkretisht specialistët e arsimit janë të mendimit që edhe nxënësve, të cilët ndjekin arsimin profesional, nëpërmjet viteve shtesë të studimit atyre t’u jepet mundësia të jenë pjesë e Maturës Shtetërore njësoj si nxënësit e gjimnazeve. Po ashtu, në bazë të viteve të shkollës të bëhen edhe kategorizime në specialitete, duke përfituar titujt me shkallë. Konkretisht kërkohet që për dy vite arsim profesional të jepet titulli punëtor i kualifikuar, për tre vjet nxënësi të quhet teknik i mesëm, ndërkohë që nëse nxënësi do të jetë i interesuar të ndjekë edhe një vit, atëherë ai do të bëhet gati të marrë më shumë njohuri të përgjithshme në lëndë jo të specialitetit për të kaluar më pas në procesin e Maturës Shtetërore. Sakaq, pikat dhe detajet e ndryshimeve do të bëhen publike para dhe pasi ato të përfshihen në një draft “për disa ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar për arsimin profesional”.

Degët e teknologjisë

Një projekt arsimor parashikon ngritjen e degëve të reja të teknologjisë dhe informacionit në 12 shkolla. Aktualisht degë të tilla ka vetëm në 5 shkolla, nga 49 shkolla profesionale në shkallë vendi. Hapja e klasave dhe degëve të reja në shkolla do të nxisë të rinjtë të zgjedhin shkollat e mesme profesionale, pasi përmes studimeve kanë mundësi që në përfundim të shkollës të kenë dy avantazhe: atë të daljes në tregun e punës duke u punësuar ose vetëpunësuar dhe avantazhin e dytë për të vijuar shkollimin e lartë në fushat e lidhura me TIK. Nga ana tjetër, do të shfrytëzohen edhe inxhinierët elektronikë dhe të telekomunikacionit në të gjitha rrethet e vendit, duke adaptuar mekanizma stimulues dhe tërheqës për këtë grup specialistësh si mësues të jashtëm. Sipas Ministrisë së Arsimit janë marrë disa hapa, jo vetëm në nivelin e arsimit të mesëm, por dhe atë të lartë, që synojnë të rrisin numrin e nxënësve që mësojnë dhe studiojnë në degët dhe profesionet e lidhura me teknologjinë e informacionit. Në një nga referimet e ministrit të Arsimit lidhur me arsimin profesional, theksohet se është një numër i madh profesionesh që prek pikat e takimit midis industrisë, ekonomisë, biznesit, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit. është ekonomia e shërbimeve, turizmi, bujqësia dhe shumë drejtime të tjera, ku janë zhvilluar profesione të qëndrueshme që u përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Kriza financiare e tre viteve të fundit në të gjithë botën, tregoi se profesionet më pak të prekura nga kriza ishin ato që lidhen me TIK-un.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›