Sarajeva zyrtare dënon sulmin ndaj ambasadës amerikane

Autoritetet boshnjake e kanë dënuar sulmin që kishte në shënjestër ambasadën amerikane në Sarajevë.
Sulmi me armë zjarri nga një person që besohet të jetë qytetar i Novi Pazarit u cilësua si sulm, jo vetëm ndaj misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara, por edhe ndaj Sarajevës zyrtare.
Ministri i brendshëm i Bosnjës, Sadik Ahmetoviç, e quajti serioz sulmin në fjalë.
“Ky është një incident serioz. Ky është një sulm ndaj misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Bosnjë. Shtetet e Bashkuara janë një mik i Bosnjës, ndaj ky është një sulm i fuqishëm edhe ndaj nesh e jo vetëm ndaj ambasadës amerikane. Ajo që mund të them për momentin është që policia realizoi me efikasitet punën e saj. Personi që hyri këtë mëngjes në Bosnjë u ndal në tentimin e tij për të shkaktuar një problem më të madh dhe për t`ua marrë jetën njerëzve”, tha ai.
Ambasada amerikane, ndërkohë, vetëm konfirmoi rastin, por nuk dha hollësi të tjera. Zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Bosnjës, Sanja Pejçinoviq, u shpreh:
“Në këtë moment vetëm mund të konfirmojmë se ka ndodhur incidenti në ambasadën amerikane. Ambasada është mbyllur. Ne jemi duke pritur policinë për ta rivendosur rregullin. Sapo të marrim informacione të reja, do t`i ndajmë me ju”, tha ajo.
Policia, ndërkaq, ka formuar një kordon sigurie përreth zonës ku ndodhet ambasada. Komunikacioni dhe lëvizja e njerëzve në pjesën ku ndodhet ambasada, thuhet të jetë bllokuar tërësisht.
Ende nuk dihen motivet e sulmit .