E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarajevë, Meta: Të hiqen vizat brenda rajonit

Ilir Meta, kryediplomati shqiptar, që nga Sarajeva bën thirrje për një veprim politik më të shënjestruar dhe të koordinuar në rajonin tonë, çka do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Evropës Juglindore, por në të gjithë Evropën. Z. Meta theksoi gjithashtu se heqja e barrierave të fundit që pengojnë kalimin e lirshëm të kufijve nacionalë si dhe liria e lëvizjes do t’u japin popujve të rajonit mundësinë që jo vetëm të ndërtojnë një dialog konstruktiv, por t’i mundësojë atyre realizimin e kontakteve të ndërsjella dhe shkëmbimin e kulturave respektive. Në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës Konferenca e Parë e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore për Aleancën e Qytetërimeve, në të cilën mori pjesë dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta. Aleanca e Qytetërimeve synon që nëpërmjet veprimit në fushat e saj kryesore që janë rinia, arsimi, media dhe migrimi, të krijojë një kuadër për promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimit ndërkulturor dhe paqes e sigurisë. Në fjalën e tij këtë konferencë, z. Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë mirëkuptimi dhe dialogu ndërkulturor në funksion të një shoqërie të shëndetshme dhe shumëkulturore. Gjatë kësaj konference, ministrat e Jashtëm dhe personalitetet e tjera të larta të pranishme miratuan Strategjinë Rajonale për Dialogun Ndërkulturor dhe Bashkëpunimin në Evropën Juglindore, e para e llojit të saj për Aleancën e Qytetërimeve, si dhe deklaratën e përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Evropës Juglindore. Kurse më datë 15 dhjetor 2009, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut (A-5), që u zhvillua në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Në takim merrnin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe përfaqësuesi i SHBA-ve. Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në funksion të integrimit të vendeve anëtare të Kartës në strukturat euroatlantike, si dhe bashkëpunimit në kuadër të operacionit ISAF, të udhëhequr nga NATO, në Afganistan. Në fjalën e tij gjatë takimit, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, përshëndeti vendimin e NATO-s për përfshirjen e Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës drejt integrimit të plotë në Aleancë. Z. Ilir Meta theksoi gjithashtu shtimin e konsiderueshëm të kontributit të Shqipërisë për operacionin ISAF në Afganistan gjatë vitit 2009 dhe angazhimin e vendit tonë për kontribute të mëtejshme, me qëllim arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në Afganistan, përfshi këtu edhe propozime konkrete për kontribute të përbashkëta të vendeve të Kartës së Adriatikut. Në përfundim të takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut miratuan një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës përshëndetet progresi i bërë nga vendet aspiruese në rrugën e integrimit, shprehet angazhimi i përbashkët për bashkëpunim për suksesin e operacionit ISAF, si dhe vlerësohet roli i rëndësishëm që Karta e Adriatikut vazhdon të luajë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, duke u angazhuar në të njëjtën kohë që vendet të punojnë së bashku për suksesin e mëtejshëm të kësaj nisme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›