E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, mbytet 2 ditë në plehra

 

Firma e pastrimit “Vogli sh.p.k”, pas ndërprerjes disaditore të punës për t’i bërë presion administratës së Bashkisë për t’i paguar detyrimet e prapambetura sipas kontratës pesëvjecare, sot ka filluar punën. Mungesa e punëtorëve pastrues dhe mosgrumbullimi plehrave për dy ditë rresht ka sjellë kudo në qytet një situatë të vështirë mjedisore dhe shëndetësore. Era e rëndë, mizat dhe myshkonjat në ditët e nxehta që po kalon rajoni, rëndimi i situatës nga grumbullimi i pazakontë i qeskave të mbeturinave ishin të papranueshme për një qytet si Saranda, ku vetëm pak ditë më pare u promovua nisja e sezonit “ Verë 2008 “

Shkak i ndërprerjes së punës së firmës së pastrimit “Vogli” të Sarandës ka qenë moslikujdimi i punës së kryer sipas volumeve dhe sipërfaqeve të parashikuara në kontratë prej firmës dhe Bashkisë. Vonesa në likujdim ka sjellë si pasojë, ndërprerjen e punës në të gjitha sektorët e pastrimit, duke çuar në protestë punëtorët e kësaj firme. Firma “Vogli” ka lejuar rëndimin e situates, për mosgrumbullimin e mbetjeve urbane në koshat e plehrave të pazbrazur për dy ditë rresht në cdo lagje të qytetit.

Burimet më të fundit nga bashkia sqarojnë se kësaj situate ju dha fund ditën e sotme. Firma e pastrimit ka filluar punën në të katër lagjet dhe fshatrat në varësi të bashkisë, duke larguar fillimisht grumbullimet jashtë kazaneve dhe më vonë janë zbrazur kazanet e tejmbushur duke nisur kështu dizifektimet dhe fshirjet në mjedisin rreth koshave.

Mësohet gjithashtu se puna për pastrimin dhe heqjen e mbeturinave do të vijojë normalisht ditën e sotme dhe me këtë do t’i kthehet dhe imazhi i mirë Sarandës. Firma e pastrimit në muajin nëntor duhet ta rinovojë kontratën me bashkinë e cila jep për mbajtjen pastër të mjediseve mbi 320 milionë lekë, të cilat i përfiton vetëm kjo firmë. Në drejtorinë e shërbimeve thonë se kontratën e re do të lidhim me më shumë se dy firma pastrimi, pasi provuam se me një firmë diktoheshim që nga bllokimi i plehrave në lagje e blloqe, të likujdonim shuma për punë të kryer jo mire.Luan Sejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›