E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kundër zgjedhjeve në Kosovë

Zëdhënësja e nënkryetares së Komisionit Europian, Maja Kocijançiç, ka deklaruar se shpallja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e baroneshës Ashton shprehet se zgjedhjet janë një rast që qytetarët e Serbisë të realizojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për fatin e vendit të vet, ndërsa ka theksuar se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë në pajtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, e sidomos me Rezolutën 1244.

Reagimi i Brukselit vjen pasi presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, kanë shpallur 6 majin si datën kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare si dhe ato lokale, ndërsa ato janë paraparë të mbahen edhe në Kosovë.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë shihet si përpjekje për sforcimin e strukturave paralele serbe, për zhbërjen e të cilave autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. / Kosovapress

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›