E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet instrumenti muzikor

Objekti I përket shek. I para ose pas Krishtit, mendohet të jetë fyell

Qysh prej tetorit të vitit të shkuar në laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë ka nisur restaurimi i disa objekteve të zbuluara gjatë vitit 2009 në zonën historike të Lezhës prej ekspeditës së përbashkët shqiptaro-gjermane. Ndër objektet e zbuluara prej kësaj ekspedite ishin edhe disa elemente kockore, cilindrike dhe me një ose dy vrima për të cilat që në momentin e parë të zbulimit u mendua se i përkisnin një instrumenti muzikor, ndoshta një fyelli. “Deri tani është harxhuar për restaurimin në fjalë një kohë prej më se pesë muaj. Të gjitha fragmentet kockore ishin të mbuluara nga balta. Arkeologët nuk kishin guxuar të bënin pastrimin e tyre, sepse fragmentet e kockave ishin dëmtuar shumë në tokë, nga ujërat etj., ose nga ndonjë djegie dhe ishte vetëm balta ajo që i mbante për të mos u shpartalluar plotësisht”, shpjegon Frederik Stamati, shef i laboratorit. Gjatë punës restauruese dolën shumë të dhëna, p.sh. ishte përdorur fyelli i kockës; pjesa e jashtme e fragmenteve ishte rrumbullakosur me torno, zbukurimi ishte prej dy ose tre rrathëve që qarkonin pjesën, edhe këto të bëra me torno, ndërsa vrimat e fyellit ishin shpuar me punto. Stamati shpjegon se në disa raste vihet re një ulluk i sheshtë, që lidh vrimat, por që akoma nuk është përcaktuar funksioni. Gjithashtu, ai thotë se në disa raste kocka është sharruar në dy pjesë në drejtimin gjatësor. “Interesante është se cilindrat nga brenda nuk janë të tornuar, por kanë mbetur me gunga. Ky fakt lind pikëpyetjen e parë: a ka qenë fyell? Më tej na lind mendimi se këto pjesë kanë qenë të papërfunduara, pra ato mund të jenë mbetje të një punishteje, që ndoshta prodhonte instrumente muzikore të asaj kohe”, vëren Stamati. Për mediat, ai bën me dije se arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një gjetje që i takon shek I para Krishtit ose shek I mbas Krishtit. Sipas Frederik Stamatit, puna për restaurimin e këtyre objekteve po vazhdon në laborator edhe për të përcaktuar llojin e kockës, moshën e saktë, si dhe për të kuptuar domethënien e kësaj gjetjeje. Megjithatë, për të vijuar me intensitetin e duhur, Stamati kërkon më tepër vëmendje ndaj laboratorit duke shprehur se do ishte e nevojshme të shtohet stafi i punonjësve të diplomuar në kimi dhe të aftë për ta përballuar këtë punë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›