E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, në 25 dhjetor një tjetër pikë kufiri me Greqin

Dermish-Dhivër-Ripës, është kjo një tjetër pikë kufitare me shtetin fshijnë Greqinë, e cila do të hapet në Sarandë me rastin e festave. Kjo do të shërbejë si urë për kalimin e mjeteve dhe të njerëzve duke nisur nga 6 dhjetori deri në datën 25 dhjetor 

SARANDE- Një pikë e re kufitare do të hapet me rastin e festave në kufi me Greqinë. Dermish-Dhivër-Ripës, do të shërbejë si urë për kalimin e mjeteve dhe të njerëzve duke nisur nga 6 dhjetori deri në datën 25 dhjetor. Deklarata është bërë nga zëvendësministri grek i Ekonomisë Andonis Bezias, i cili ka qenë këto ditë në Sarandë ku është takuar me drejtues të Dhomës së Tregëtisë e industrisë së Sarandës dhe Igumenicës. Gjatë ardhjes në Sarandë Bezias inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës Qafë-Botë, e cila po ndërtohet me fonde nga tepricat e programit evropian për zhvillimin e Ballkanit. Të pranishëm kanë qenë edhe krerë të komunave të minoritetit grek në Shqipëri, ku nuk mungonte edhe kreu i Bashkisë së Himarës Vasil Bollano. Çështja e Vorioepirit nuk është lënë jashtë vëmendjes në këtë takim të zv.ministrit grek Andonis Bezias. I pyetur në se ka strategji qeveria greke për Vorioepirin, Bezias u përgjigj se zhvillimi I Shqipërisë do të sjellë edhe zhvillimin e rajonit ku jeton komuniteti etnik grek. Respektimi i të drejtave të njeriut në minoritet, theksoi ai, “është një nga kushtet e hyrjes së Shqipërisë në familjen e madhe europiane” (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›