E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, nuk ankorohet anija turistike, britanikët vendosin të kthehen mbrapsht

 

Arsyeja e këmbënguljes për të mos spostuar anijen me cimento ishte sa banale edhe e pakuptimtë. Kapiteneria dhe Drejtoria e Portit nuk pranojnë të spostojnë një anije transporti të ngarkuar me cimento për t’u ankoruar anija me turistë. Anijes “CLIPPER ADVENTURE” me turistë, të gjithë të moshuar, i kërkohet të bëjë zbritjen e pasagjerëve, me barka të vogla me motorr. Pasagjerët refuzojnë të ndërrmarrin një aventure të tillë, në detin me dallgë.

SARANDË- Sot në orën 14, ka mbërritur në Portin e Sarandës anija “CLIPPER ADVENTURE”, e cila mbartte në bord 120 turistë britanikë të kompanisë së njohur anglezë “NOBLE Caledonia”. Drejtuesit e anijes kanë udhëtuar nga Kroacia për në Sarandë me turistët anglezë dhe kanë kërkuar që të zbarkonin pasagjerët në kalatën e Portit të Sarandës. Kjo vizitë ishte e paralajmëruar ditë më parë. Anija kishte kërkuar që pasagjerët e saj t’i zbriste në kalatë dhe agjencia pritëse e kishte siguruar se pasagjerët do të zbrisnin në kalatë, për arsye të moshës së pasagjerëve që ndodheshin në bord. Kapiteneria e anijes kishte kërkuar si kusht specifik, zbritjen e udhëtarëve në pankinën e portit dhe jo me spirancë në radhë. Por kërkesës së tyre autoritet në port nuk iu përgjigjën pozitivisht dhe nuk pranuan ta spostonin anijen që po përpunohej me ngarkesë çimentoje, për të lënë një copë vend edhe per anijen turistike. Agjencia turistike “Albania–Tours”, në pritje të turistëve, ishte e gatshme me autobusat, që do t’i transportonin 120 turistët drejt Butrintit, Mesopotamit, Kalasë së Lëkurësit etj.

Kruaziera “CLIPPER ADVENTURE”kur ka ndeshur në mospranimin e kërkesës, të rënë dakord më parë me agjencinë ka vendosur edhe me pëlqimin e pasagjereve të ngrejë spirancën për t’u kthyer mbrapsht. Refuzimi i pasagjerëve të moshuar për të zbritur ka ardhur, pasi një zbritje të tillë nuk përballohej prej të moshuarve për shkak të moshës së thyer. Luan Sejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›