Konfindustria: Ligji i falimentit, do të vështirësojë klimën e biznesit
Pas miratimit të djeshëm të ligjit të falimentit që prek bizneset, ka reaguar administratori i Pergjithshëm në Konfederatën e Industrive të Shqipërisë z.Gjergj Buxhuku në një njoftim për shtyp. Kjo zyrë shpreh shqetësimin e saj për miratimin e këtij ligji. Buxhuku tha se: “Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të projektligjit "Per Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë" pa marrë parasysh vërejtjet profesionale të Konfindustrisë dhe paralajmërimeve të arsyetuara prej saj për pasojat e rënda, që do të sjelli në keqësimin e klimës së biznesit dhe rëndimin edhe me tej të gjendjes së vështirë të ekonomisë shqiptare sidomos në kushtet e krizes globale”. Në këtë draft, të sjellë nga qeveria në Parlament, për herë të parë përcaktohet shpallja si të falimentuara e të gjitha kompanive që pavarësisht pagesave të të gjitha detyrimeve, paraqesin bilance negative. Ndërsa për të gjithë kompanitë që nuk kanë aftësi paguese, Ligji përcakton si afat për shpalljen e tyre si të falimentuara, periudhën prej 2 vjetësh.