E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sfidat e Shqipërisë në rajon”

Ai theksoi se politika rajonale dhe marrëdhënia me vendet e rajonit është aset shumë i rëndësishëm dhe më i vlerësuar nga partnerët tanë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është hapësira prioritare ku veprimi diplomatik i Shqipërisë ndikon drejtpërsëdrejti si në realizimin e interesave kombëtare, ashtu dhe në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me të gjitha vendet e rajonit tonë, në radhë të parë me shtetet fqinje të drejtpërdrejt me Malin e Zi, Republikën e Kosovës e Maqedoninë”, tha Haxhinasto, sipas të cilit, vëmendje e veçantë i është kushtuar zhvillimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë, anëtarë të Bashkimit Evropian dhe aleatë në NATO, partnerët strategjik Italinë dhe Greqinë.

Një nga objektivat madhorë për të cilat është punuar me intensitet, ka qenë përfshirja e Kosovës në organizatat rajonale. “Vërejmë me kënaqësi se ka një ndërgjegjësim edhe më të madh të shumicës së vendeve të rajonit e më tej për domosdoshmërinë e përfshirjes së Republikës së Kosovës në proceset rajonale”, tha lidhur me këtë aspekt, ministri Haxhinasto. Integrimi ekonomik me shtetet e rajonit, përbën një objektiv të vazhdueshëm, tha Haxhinasto.

Infrastruktura e përbashkët, funksionimi i plotë i CEFTA-s, koordinimi për çështjet e rrugëve të energjisë, lëvizja pa pasaporta në gjithë rajonin, përbëjnë objektiva të reja të punës diplomatike.  Haxhinasto tha më tej se, “angazhimi dhe kontributi në funksion të faktorit shqiptar në Ballkan, është një prioritet i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme”.  Objektiv i vazhdueshëm, sipas tij, mbetet njohja reciproke e diplomave me Serbinë, nga e cila përfitojnë shqiptarët në Preshevë, gjë që do të sjellë integrimin e tyre real në strukturat administrative të vendit. 

Po kështu, Haxhinasto tha se do të intensifikohet mbështetja për shkollat dhe gjuhën e kulturën shqipe atje, si dhe për njohjet e reja të  Kosovës, që mbeten sfidë e politikës së jashtme. Diplomacia shqiptare po vepron me intensitet edhe për eksportimin e vlerave më të mira të trashëgimisë e kulturës shqiptare. “Promovimi i tolerancës ndëretnike e fetare, e vlerave të rekonciliacionit të shqiptarëve, është objektiv i punës sonë. Kjo eksperiencë, po ofrohet në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi ai.  Ndërkohë, Haxhinasto tha se shërbimet ndaj shqiptarëve jashtë vendit, janë një pol i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme dhe diplomacisë.

“Dhënia e pasaportave në Itali e Greqi, ka ndikuar në afrimin dhe përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve ndaj tyre”, nënvizoi ai, duke theksuar se vazhdon puna për njohjen e kontributeve për sigurimet shoqërore të shqiptarëve jashtë vendit, në bashkëpunim me Insitutin e Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe me vendet ku jetojnë shqiptarë në emigracion. /Start/

                                                                                             2012-02-02 16:42
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›