Unaza dhe këmisha e përgjakur e Gedafit, në shitje për 2 milionë dollarë
Unaza e martesës dhe këmisha që mbante ditën që u vra diktatori libian janë nxjerrë në shitje për 2 milionë dollarë.
Muamar Gedafi mbante në gisht unazën e argjendtë dhe këmishën ngjyrë bezhë në 20 tetor të viti të kaluar, kur u rrah barbarisht dhe më pas u vra nga rebelët libianë në qytetin e tij të lindjes, Sirte.
Tashmë libiani Ahmed Warfali, i cili nuk dihet se si i ka siguruar unazën dhe këmishën e përgjakur të Gedafit, i ka nxjerrë në shitje për 2 milionë dollarë amerikanë.
Ai mendon se këmisha dhe unaza do të kapnin vlera më të larta nëse do të shiteshin në Europë.
Një foto e asaj që mendohet se ka qenë unaza e kolonelit libian është shfaqur në faqen ArabsToday.net ditët e fundit. Në të duket e gdhendur data e martesës së tij me të shoqen, Safia, në 10 shtator 1970.
Përgatiti: Gazmira Ndoja