E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, premtohet kinemaja e munguar

Prolog Giffoni e ka përfunduar turin në qytetin e Sarandës me një premtim të madh. Në ditën e tretë të projektimit të filmave, në takimin me fëmijët dhe të rinjtë e jurisë së Generation +12 dhe Generation +15, kryetari i bashkisë së qytetit, z. Edmond Gjoka u

shpreh se së shpejti qyteti do të ketë një sallë moderne kinemaje. Këtu është rasti më i përshtatshëm që unë të bëj një njoftim të rëndësishëm. Së shpejti qyteti i Sarandës, fëmijët dhe të rinjtë do të kenë së shpejti një sallë moderne kinemaje. Herën tjetër ju nuk do ti ndiqni filmat që projektohen në kuadrin e Prolog Giffoni në sallën e vjetër të kinoteatrit Butrinti, por në një sallë të vërtetë. Kinemaja do të jetë pjesë e një projekti të madh për një qendër kulturore të qytetit, ka thënë Gjoka. Ndërkohë, presidenti i Giffoni FilmFestival Albania, Namik Ajazi ka theksuar se ky premtim është përmbushja e qëllimit të këtij festivali. Ne e kemi përsëritur në formë sensibilizimi mungesën e kinemasë për një brez të tërë edhe në qytete të mëdha siç është Saranda, prandaj ky përbën një lajm shumë të rëndësishëm. Deri më tani, Saranda ka vetëm një kinema verore, e cila funksionon kryesisht me prodhime kinematografike për të rritur. Filmat për fëmijë, ashtu siç ndodh edhe në qytete të tjera, i mungojnë edhe Sarandës. Për tri ditë me radhë, fëmijë dhe të rinj nga mosha 12-19 vjeç kanë ndjekur filmat më të mirë, prodhime të dy viteve të fundit për kategoritë e tyre. Ndërkohë, dje në shëtitoren e qytetit është mbajtur një koncert me grupin polifonik Zëri i Bilbilit dhe këngëtarët Dritan Cara dhe Problem AKA Telashi, gjatë të cilit janë shfaqur përmbledhje të videove mbi Prolog Giffoni. Sot, Prolog Giffoni, zhvendoset në qytetin e Vlorës. Projeksioni i parë nis që në orën 9.00 në teatrin Petro Marko. Ikingu, filmi i parë që do të ndiqet nga fëmijët e moshës +12, një prodhim i tri vendeve: Islandë, Norvegji, Danimarkë, tregon e Boazit, 11-vjeçari djalë i një pastori protestant. Një ditë ai takon një djalë eskimez që e merr për një krijesë të çuditshme. Peshkatarët e fshatit, njerëz me mentalitet pagan vihen në gjueti të përbindëshit duke provokuar një ortek dëbore, nga i cili Boazi mbetet i bllokuar. Atë e shpëton fëmija eskimez, i cili mirëpritet më pas në shtëpinë e djaloshit.

Last Updated on E Marte, 18 Maj 2010 19:28

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›