E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi Ballsh, refuzon përzierjen e ujit të pijshëm me ujërat e zeza

Dhjetë ditë pas epidemisë në qytetin e Ballshit, ende nuk ka një përgjigje zyrtare për shkakun e saj. Numri i të sëmurëve që morën ndihmë në spitalin e Ballshit, sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik është 784 raste. Ndërkohë që dhjetëra të tjerë kanë refuzuar

të kurohen në spital, por kanë marrë mjekim në shtëpi. Deklarimet se shkak i kësaj epidemie ishte përzierja e ujit të pijshëm me ujërat e zeza, kundërshtohen nga drejtori i ujësjellës kanalizimeve në Ballsh. Numri i të prekurve nga ky helmim masiv është afërsisht 10% e popullsisë që ka qyteti. Në bashkinë e Ballshit jetojnë 12.500 banorë.

Topi, apelon për më shumë kujdes ndaj jetimëve
Në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, Presidenti i Republikës Bamir Topi si edhe ambasadori amerikan në Tiranë, John Ëithers kanë marrë pjesë në veprimtarinë artistike të zhvilluar me këtë rast. Presidenti është shprehur në takim se mbështetja që ai ka dhënë për këtë kategori fëmijësh, nuk ka të krahasuar me misionin e pedagogëve dhe edukatorëve të institucioneve, që kujdesen për ta. Presidenti ka bërë apel për më tepër angazhim më të madh të gjithë shoqërisë shqiptare në mbështetje të integrimit të plotë dhe të barabartë të këtyre fëmijëve në jetën dhe zhvillimin e vendit.

Reshjet shkaktojnë probleme në qytetin e Beratit e të Bulqizës
Mjaftuan dy ditë me shi që të rikthehen përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në disa pjesë të vendit. Prurjet e lumit të Lapardhasë në Berat kanë dalë nga rrjedhja normale duke përmbytur tokat bujqësore. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në fshatin Sheqëz të komunës Lumas, ku pompa e ujit të pijshëm në këtë fshat është përmbytur. Mëngjesin e sotëm depoja e ujit të pijshëm në këtë fshat është shkatërruar, pasi është marrë me vete nga prurja e lumit duke lënë pa ujë të pijshëm 850 banorë në këtë fshat. Edhe një urë që lidh fshatrat në komunën Lumas është dëmtuar rëndë në një prej këmbëve të saj. Drejtuesit e komunës kanë vënë në dijeni prefekturën. Pranë urës është vendosur një shërbim policor për të mbajtur nën kontroll situatën ndërsa është kërkuar ndihma e emergjencave civile. Ndërkohë u bënë 2 muaj që mbi 20 shtëpi të komunës Fushë-Bulqizë janë rrezikuar si pasojë e rrëshqitjet e tokës. Një pjesë e banorëve jetojnë në çadra në kushte të vështira. Banorët e fshatrave të rrezikuara kanë kërkuar ndihmën e prefekturës për t'i shpëtuar shembjeve përfundimtare të banesave të tyre.

Gjirokastër, spitali pa rezerva gjaku, dhuruesit shpëtim për pacientët
Spitali rajonal i Gjirokastrës ka rezerva të pamjaftueshme të gjakut. Ky spital është qendra më e madhe shëndetësore në jug të vendit, ai pret pacientë nga i gjithë jugu ndërsa vetëm gjatë këtij viti numri i të aksidentuarve në rrugën nacionale që janë paraqitur për ndihmë pranë këtij spitali ka qenë mjaft i lartë. E ndërsa ndërgjegjësimi për situatën duket se është minimal, fushatat e herëpashershme të dhurimit nuk mund të krijojnë rezervën e mjaftueshme për një institucion shëndeti që pret çdo muaj gati 600 pacientë. Sipas specialistëve dhuruesit me pagesë janë gjithnjë e më të paktë në numër dhe cilësia e gjakut e grumbulluar nga kjo kategori personash nuk është e lartë.

Çelet panairi i punës, aplikojnë mbi 1000 persona
Është çelur ditën e djeshme bursa e punës për vitin 2010. Dhoma Amerikane e Tregtisë, organizoi Panairin e Punës, ku merrnin pjesë mbi 20 kompani të cilat ofronin 150 vende pune. Elektronikisht kanë aplikuar mbi 1 mijë vetë, por për të dhënë intervistë janë përzgjedhur 500 persona. Kompanitë private kanë nisur që të mos i përzgjedhin punononjësit në mënyrë rastësore, në bazë njohjeje, apo familjare, por duke kërkuar dhe përzgjedhur më të mirin në tregun e punës. Ky është viti i tetë, i zhvillimit të panairit të punës, ndërsa më parë është zhvilluar në qytete të ndryshme si në Durrës, Fier, Berat dhe Tiranë.

Last Updated on E Marte, 18 Maj 2010 19:25

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›