E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, sezoni i verës nis me festën e midhjes

SARANDË- Midhja, e ashtuquajtura "Mbretëresha" e liqenit të Butrintit, ka vënë sot kurorë dhe është bërë mbretëresha e tërë qytetit të turizmit. Me këtë simbol është zgjuar mëngjesin e ditës së shtunë Saranda dhe asaj i është dedikuar një organizim i plotë promovues, shijues dhe argëtues. 

Duke qenë se midhja e liqenit të Butrintit është një produkt tipik që rritet vetëm në Sarandë, asaj i është kushtuar edhe festa dyditore e inicuar nga bashkia e këtij qyteti, duke e bërë kështu edhe me një festë lokale qytetin e turizmit.
Festa e Midhjes është kthyer ne një mundësi që bizneset vendase të promovojnë prodhimet e tyre. Në shetitore janë instaluar të paktën 40 biznese, me tezgat e tyre, që kanë servirur mënyra të ndryshme të gatimit të midhjes. Një povion të posaçëm ka patur edhe shkolae e mesme e Hoteleri- Turizmit. 

Kryetari i bashkisë, Stefan Çipa, e ka çelur festën nga skena e hapur e bar-lulishte "Butrinti", ku është dhënë edhe një spektakël. "Për herë të parë këtë pranverë Saranda dhe miqtë e shumtë të saj, e kthejnë midhjen, produktin e rrallë të ujërave tona, në simbol të një feste mbarëpopullore, që organizohet nga Bashkia e qytetit buzë shetitores sonë të bukur dhe duam t’ia dhurojëm qytetit si një festë të përvitshme", pohoi Çipa. 

Festa e Midhjes në Sarandë ka vazhduar gjatë gjithë natës së të shtunës duke dhënë mundësi për të promovuar dhe provuar shijen e gatimit të midhjes në disa receta. Nata është kaluar me spektakle rinore mjaft argëtuese për masën e rinisë, përmës koncerteve, skena e të cilave ishte në rërën e Plazhit "Rinia". Festa vazhdon edhe gjatë ditës së diele, me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive nga disa qytete të vendit, nga komuna e Suharekës e Gjilanit, si dhe nga bashkia e Korfuzit, me të cilat Saranda është binjakzuar.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›