E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë shkarkohet Kristo Kali, kreu i Omonia-s

21/09/2009  “U ngri” nga Bollano, mbështeti Kosta Barkën në zgjedhje

SARANDË - Ka marrë fund “ngrirja” e Kristaq Kalit, kreut të organizatës së “Omonia”-s për degën e Sarandës, i pezulluar prej disa muajsh, qëkurse ai dha të gjitha sinjalet se mbështeste Kosta Barkën në lëvizjet e tij politike brenda PBDNJ dhe “Omonia”-s, deri në kandidimin e tij për deputet në fushatën e qershorit 2009. Një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të përgjithshëm të Organizatës Politike të Minoritetit Etnik Grek, e mbajtur në selinë e saj në Sarandë, ka zyrtarizuar shkarkimin dhe zëvendësimin e tij. E drejtuar nga Vasil Bollano, kryetar i këtij këshilli, njëherësh edhe kryebashkiak i Himarës, mbledhja ka rritur shpejt dhe pa debat në vendimin për shkarkimin e Kalit, pothuaj me të njëjtën procedurë dhe me të njëjtat argumente me të cilët dy ditë më parë u bë shkarkimi i ish-prefektit të Gjirokastrës Spiro Ksera, aktualisht ministër i Punës në kabinetin qeveritar “Berisha 2”. Bollano tha se Kali nuk ishte prej kohësh në pozicionin e kryetarit të degës së “Omonia”-s për Sarandën, pasi vetë e kishte shpërdoruar dhe braktisur këtë detyrë që i ishte besuar nga forumet përkatëse, me pozicionimet e hapura kundër kursit dhe në dëm të interesave të minoritetit etnik grek. Për të pranishmit në mbledhjen e thirrur në Sarandë, anëtarë të këshillit të përgjithshëm, nuk iu tha ndonjë gjë konkrete në argumentim të përcaktimeve të bëra në adresë të Kalit, pasi të gjithë e kishin fshirë nga lista e “të tyreve”, që përpara muajit qershor, kur kryetari Bollano, me të drejtën e kryetarit të organizatës së grekëve të Shqipërisë, e kishte pezulluar nga detyra e kryetarit lokal Kristaq Kalin. As që mund të mendohej që Kali të ishte i pranishëm në mbledhjen e fundit, që mori vendimin e shkarkimit të tij. Pasi që nga koha “e ngrirjes” ai nuk guxonte të shkonte në zyrat e selisë së “Omonia”-s në Sarandë. Shkaku ishte bërë pjesë e fraksionit që mbështeti në fushatën zgjedhore kandidaturën e ish-ministrit Barka, i cili vetë është simpatizuar nga kryetari i PBDNJ Dule, si “i shitur” tek Berisha dhe Partia Demokratike.

Megjithëse, Barka iu paraqit zgjedhësve si kandidat për deputet i PD dhe jo i PBDNJ në zgjedhjet e 28 qershorit, si në takimet zgjedhore që pati me votuesit edhe në posterat e vet, ai ngulmoi t’u bënte të qartë atyre se kishte me vete edhe omonistët e vërtetë dhe se “në PD kam marrë me vete edhe flamurin e “Omonia”-s”. Qysh nga koha e pezullimit verbal nga Bollano 4 muaj më parë, Kristaq Kali ka deklaruar se “unë jam kryetar i ligjshëm i “Omonia”-s së Sarandës, do apo nuk do Dule, do apo nuk do Bollano”. Ai ka sqaruar se kjo nuk ka qenë një këmbëngulje e kotë dhe punë dëshire, por sepse ai mbart votëbesimin e konferencës së organizatës në Sarandë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›