Sarandë, vetëhelmohet maturantja
SARANDE – Vetëhelmohet me ilaçe për dhimbjen e kokës maturantja. K.Hasani, nxënëse e vitit të katërt të gjimnazit “Hasan Tahsini” ka përfunduar në urgjencën e spitalit të qytetit pasditen e djeshme, në gjendje të rëndë. Sipas familjarëve të saj, vajza sapo ishte kthyer nga shkolla, ku ishte konsultuar për provimin e lëndës me zgjedhje. Pa u parë nga të afërmit, ajo kishte marrë një sasi medikamentesh për dhimbje koke, duke pirë rreth 20 kokrra. Familjarët që e prisnin për të ngrënë drekë, kur kanë pikasur vonesën e saj, kanë shkuar te dhoma ku ndodhej gjimnazistja, duke e gjetur atë pa ndjenja. Ata kanë parë pakon e ilaçeve, duke dyshuar menjëherë për tentativë vetëhelmimi. Menjëherë është përcjellë për në urgjencën e Sarandës, por për shkak të gjendjes së rëndë është kërkuar një helikopter për ta transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku që 18-vjeçarja tentoi vetëhelmimin, ndërsa përjashtohen ato që lidhen me shkollën. sh.d