E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e shtetit sigurojnë ministren angleze, Taylor për zgjedhje të ndershme

Ministrja e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshë Uinfrid An Taylor, ka zhvilluar një sërë takimesh në vendin tonë me krerët më të lartë të shtetit. Takimet janë përqendruar në çështje të marrëdhënieve dy palëshe, të cilat janë vlerësuar si mjaft pozitive, por dhe kontributin e Britanisë së Madhe, në integrimin e vendit tonë si anëtare me të drejta të plota në NATO. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit ka kërkuar nga Britania e Madhe dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka garantuar baroneshën Taylor se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur të organizojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç i meriton një vend anëtar i NATO-s. Zgjedhjet e qershorit 2009 janë zgjedhjet e para, të cilat bazohen në një kuadër ligjor dhe institucional të miratuar me konsensusin më të lartë të arritur ndonjëherë, është shprehur Berisha. Në këtë kuadër ai përmendi pajisjen e qytetarëve me dokumente identifikimi më të sigurtat në Europë, të cilat janë bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve. Gjithashtu, Berisha është ndaluar edhe në masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në krijimin e lehtësirave për të gjitha shtresat në nevojë, për pajisjen me këto karta. Ndërsa nga ana e saj ministrja Taylor, vlerësoi se anëtarësimi në NATO është një arritje e madhe për vendin, që erdhi si rezultat i reformave të suksesshme që ndryshuan Shqipërinë dhe u vlerësuan jashtëzakonisht nga vendet aleate të NATO-s.
Topi-Taylor, për zgjedhjet
Gjatë takimit të zhvilluar me ministren e britanike të shtetit, presidenti Topi i vlerësoi të rëndësishme zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, të cilat sipas tij do të jenë edhe kriteri me rëndësi për kandidaturën e vendit tonë për anëtarësimin e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, kreu i shtetit i ka cilësuar këto zgjedhje tregues të dukshëm të një stabiliteti të konsoliduar politik në vend. Presidenti Topi e ka njohur ministren britanike Taylor me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në Shqipëri, duke u ndalur tek hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2009. Duke konsideruar të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Topi vlerësoi faktin që Britania e Madhe është jo vetëm një vend mik dhe një nga partnerët më të rëndësishëm. Në fjalën e saj, ministrja britanike shprehu përgëzimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një vend të denjë për Aleancën, si dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke siguruar vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit mes vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›