E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi: Gabuam me futjen e Greqisë në eurozonë

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi disa orë pas takimit të Brukselit pranoi publikisht se Bashkimi Europian ka bërë gabim kur anëtarësoi Greqinë në Eurozonë, bazuar në të dhëna të pavërteta. Sarkozi tha se ekonomia e Greqisë nuk ishte e gatshme për të hyrë në eurozonë. Këtë deklaratë, presidenti i Francës e bëri gjatë një interviste të rrallë, në të cilën shpjegoi planin për zgjidhjen e krizës së borxhit sovran. Intervista është realizuar 6 muaj para zgjedhjeve dhe ka synuar të krijojë kontakt më të gjerë me publikun dhe votuesit. "Për t’ju thënë të vërtetën, nëse nuk do të kishte një marrëveshje në mbrëmjen e kaluar, nuk do të zhytej vetëm Europa në katastrofë, por e gjithë bota do të zhytej në katastrofë. Dhe do të kishte një faliment të paimagjinuar të një vendi, Greqisë, me popullsi pothuajse 10 milionë banorë", - tha Sarkozi për kanalet televizive TF1 dhe ‘France 2’. Ai e lidhi krizën greke me atë të Lehman Brothers dhe tha se, nëse do të dështohej me një plan të zgjidhjes së saj, eurozona dhe e gjithë bota do kalonin në kaos ekonomik. "Pra ne, një ditë më parë shmangëm një katastrofë", - tha Sarkozi. Në intervistë ai tha se falimenti i Greqisë do të sillte faliment të bankave dhe fakti që ato janë anëtare në eurozonë, ajo do të jepte efekte domino për të gjithë bllokun. Ai tha gjithashtu se nuk besonte se është model i mirë kundër krizës ndarja e aktivitetit të bankingut të thjeshtë me bankingun e investimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›