Sarkozi: Është radha ime dhe ikën pa paguar

Sarkozi në lokalin rural
Një përpjekje e Nikolas Sarkozi për të vepruar si “njeri popullor” duke blerë pije dhe kafe për miqtë e tij në një bar rural, rezultoi “e tmerrshme” kur ai u largua pa paguar. Episodi i sikletshëm ndodhi kur Presidenti francez vizitoi Villetelle, një fshat i vogël në rajonin qendror Kreuse, ndërsa ai po bënte fushatë për rizgjedhjen e tij. Duke hyrë në barin kryesor të fshatit, Sarkozi kishte thënë “Është radha ime!” dhe kishte porositur gjashtë kafe, që kushtonin 6 euro e 60 cent. “Është një vend shumë i bukur, mbase ne vendosemi këtu”, i kish thënë Sarkozi pronarit të lokalit. Më pas, ai kishte përmendur se si kishte ulur taksat e kafeneve rurale duke lehtësuar jetën e tyre. “Kjo tregon se Sarkozi është e kundërta e njeriut popullor”, tha një banor i fshatit. Mediat shkruajnë se ai ka dashur të imitojë Presidentin amerikan, Barak Obama, i cili porosit dhe paguan për stafin e tij gjatë udhëtimeve të punës nëpër SHBA. Një zëdhënës i presidencës franceze tha se mospagimi i faturës ishte një pavëmendje që do të korrigjohet.