Sarkozy: Kompakti fiskal, brenda muajit mars

Miratimi i traktatit të ri i Bashkimit Europian ishte kryefjala e presidentit francez Nikolas Sarkozy në një konferencë për shtyp pas samitit. Sarkozy theksoi se brenda muajit mars do të finalizohet marrëveshja e arritur gjatë samitit të dhjetorit, e njohur ndryshe si kompakt fiskal, duke imponuar kështu masa më të ashpra për politikën buxhetore të vendeve në Eurozonë.
Presidenti francez gjithashtu njoftoi edhe se Greqia ishte subjekt i bisedimeve, ndërsa theksoi se në ditët në vijim mund të arrihet një marrëveshje për shtetin Helen. Komisioni Evropian thotë se është i sigurt se një marrëveshje do të arrihet brenda disa ditësh, ndërsa dhe vet Sarkozy është shprehur kundër planit gjerman, që një komisioner i BE do të kontrollonte financat greke.
Ndërkohë liderët e Eurozonës sipas agjensisë së lajmëve Reuters kanë arritur edhe një tjetër marrëveshje për mekanizimin e stabilitetit ekonomik.
Ky mekanizëm do të mund të financojë shtetet europiane në krizë deri në 500 miliard euro dhe do të zërë vendin e Fondit të Stabilitetit Financiar Europian. Në një kohë kur BE ka më shumë se 23 milionë njerëz të papunë kriza e Eurozonës dominoi samitin e BE, me një theks të veçantë në rritjen ekonomike dhe zgjerimin e disiplinës buxhetore. Shumica e shteteve anëtare, përvec Mbretërisë së Bashkuar pritet të nënshkruajnë një traktat të ri buxhetor të quajtur "kompakt fiskale". Samiti vjen një ditë pasi Presidenti francez Nikolas Sarkozi njoftoi një taksë 0,1% për transaksionet financiare.