E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy pëson debakël në zgjedhjet rajonale në Francë

E djathta e presidentit francez, Nikolas Sarkozy ka marrë një shuplakë të rëndë në rrethin e parë të zgjedhjeve rajonale në Francë, duke marrë 3,3 për qind më pak vota se Partia Socialiste.

"Ndëshkim", "shuplakë", "mospranim", "shpartallim", ishin titujt me të cilët shtypi francez nënvizoi dje pothuajse njëzëri disfatën e qartë të së djathtës në Francë.

Raporti i forcave është dukshëm në favor të së majtës; ku sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, blloku i majtë (53,46 për qind) mori 14 pikë më tepër se blloku i djathtë (38,93 për qind).

Në 22 rajone metropolitane (përveç atyre përtej detit), PS-ja e vetme ishte në avantazh ndaj UMP-së dhe aleatëve të saj me 3,3 pikë (29,48 për qind kundrejt 26,18 për qind, dhe doli fituese në 13 rajone.

Edhe vetë gazeta "Le Figaro" (e afërt me pushtetin) shprehej se UMP-ja e presidentit Nikolas Sarkozy ka tetë ditë kohë për të shmangur disfatën, duke u përpjekur të shfrytëzojë forca të reja tek 53,65 për qind e votuesve, që abstenuan në rrethin e parë.

Mësimi i rëndësishëm që doli nga turi i parë është rritja e ekstremit të djathtë, ku partia Fronti Kombëtar siguroi një rezultat prej 11,74 për qind të votave dhe mbetet "një forcë kombëtare", paralajmëroi lideri i saj Jean-Marie Le Pen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›