E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rove mbron luftën në Irak

Ish-këshilltari kryesor i ish-presidentit amerikan, George Bush, Karl Rove, ka deklaruar se ishte “krenar” për përdorimin e teknikave dhe metodave të ashpra të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm nga ana e hetuesve amerikanë.

Veçanërisht ai e kishte fjalën për teknikën e shumëdiskutuar të “mbytjes me ujë”. Rove, strategu republikan i njohur më mirë si “Truri i Bushit”, tha në një intervistë të fundit se nuk besonte se lloji i torturës së sipërpërmendur, apo të tjera mënyra të ashpra të marrjeve në pyetje, mund të konsideroheshin “tortura”.

“Unë jam krenar që kemi përdorur teknika që kanë thyer vullnetin e këtyre terroristëve dhe që na kanë dhënë një informacion shumë të vlefshëm për të zbuluar shumë komplote potenciale ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera”, ka deklaruar Rove.

Ai ka botuar së fundmi edhe një libër me kujtime, “Guximi dhe pasojat”, në të cilin argumenton se historia do ta vlerësojë Bushin dhe presidencën e tij, veçanërisht për sa i takon vendimit për sulmin në Irak.

Ai e quan pushtimin e këtij vendi nga amerikanët në vitin 2003 si një akt që pati shumë pasoja për presidencën e Bushit, por që ishte i justifikueshëm pas sulmeve të 11 shtatorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›