Sarkozy, shkoi tepër djathtas

“Fushata e presidentit Sarkozy dalëngadalë po shndërrohet në një dëshpërim dhe mundim”, nënvizonte gazeta njujorkeze në hyrje të artikullit.
Për të kompensuar atë që tregojnë anketimet, se ai po ngecë prapa kandidatit presidencial socialist, Francois Holland, presidenti Sarkozy, që është kandidat i Partisë të qendrës së djathtë – UMP, “ka nisur me trajtimin e çështjes së imigrantëve, por edhe të importit e të ushqimit të myslimanëve francezë”, shkruan gazeta, duke shtuar se, Sarkozy “mbase mendon se udhëheqja e një politike të mirë nënkupton lëshimin pe para kërkesave raciste dhe ksenofobike”.
Presidenti Sarkozy ka kërcënuar me tërheqjen e Francës nga Marrëveshja Schengen, po qe se nuk fillohet me dënimin ose me përjashtimin e shteteve që nuk po i përmbushin obligimet e tyre financiare. Ai madje ka thënë se në Francë ka tepër shumë imigrantë, ndërkohë që e ka komentuar edhe shenjën “Hallall”, e cila vendoset nëpër ushqimet e diskuara për myslimanë (siç është, për shembull, mishi i kafshëve që përgatitet sipas rregullave fetare të myslimanëve).
Në vend se të lavdërohet me sukseset e arritura gjatë mandatit të tij, si për shembull me reformat paqësore, ose me operacionet e suksesshme të NATO’s në Libi dhe me politikën e tij të jashtme, Sarkozy qëllimet aktuale i ka vendosur tejet ulët, nënvizon gazeta NYT.
NYT po ashtu tërheq vërejtjen edhe për dobësitë e kundërkandidatit të tij, Holland, i cili ka ide të paqarta dhe propozime joreale ekonomike.
Një ditë para gazetës NYT, gazeta 'The Wall Street Journal' i ka cilësuar si cinike propozimet e presidentit Sarkozy për ashpërsimin e masave të zonës Schengen, ndërkohë që vetë atë e ka quajtur si “Nicolas Le Pen” – duke aluduar kështu në mbiemrin e kryetares së të djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, dhe të babait të saj, Jean-MarieLe Pen, i cili dikur i printe po asaj partie.