Martesa si dhunim i dytë

Pas vetëvrasjes së vajzës së re, ministrja e qeverisë islamike të Marokut, bëri thirrje të enjten për revidimin e ligjit që lejon themelimin e martesave mes dhunuesve dhe viktimave të tyre adoleshente.
Ndërkohë, me ftesë të Ligës Demokratike për të Drejtat e Grave, afro 300 njerëz organizuan një protestë para gjykatës në të cilën ishte shpallur aktgjykimi, nëpërmjet të cilit konfirmohej se dhesi dhe viktima mund të martoheshin.
Gjithashtu, në internet është iniciuar nënshkrimi i një peticioni dhe për të shtunën janë paralajmëruar protesta të reja kundër ligjit kontrovers maroken, të cilin aktivistët e quajnë “të turpshëm”. Ky ligj i mundëson “grabitësit”, respektivisht dhunuesit të viktimës adoleshente, që të njëjtën ta martojë, duke iu shmangur kështu mbajtjes së burgut për veprën e tij.
Javën e kaluar, Amina El-Filali i dha fund jetës së saj duke helmuar veten me helm minjsh. Ajo u varros të dielën, në qytetin Larache.
Ministrja për Solidaritet, Gra dhe Familje, Besima Hakawi, që është femra vetme e qeverisë islamike të vendit, gjatë një bisede për televizionin shtetëror 2M pranoi se këtu bëhet fjalë për “një problem juridik”, dhe sugjeroi që të bëhet një reformim i ligjit në vend.
Nuza Skali, e cila mbante të njëjtin post në qeverinë e kaluar, u shpreh e tronditur me këtë rast, i cili për të paraqet “një klithje të shoqërisë”.
Që të dy femrat u shfaqën në televizionin shtetëror, i cili gati komplet emisionin e lajmeve të pasdites të enjten ia kushtoi këtij rasti.
Amina El-Filali u detyrua të martohej me dhunuesin e saj, i cili, falë një neni të ligjit penal maroken, në këtë mënyrë iu shmang vuajtjes së dënimit me burg.
"Ligji adoleshenten e dhunuar e konsideron si kundërvajtëse, megjithëse ajo në fakt është viktimë e dunës”, u shpreh Nuza Skali, derisa shprehu keqardhjen e saj për mosekzistimin e mbrojtjes së femrave adoleshente.
"Ligji duhet të ndryshohet, në mënyrë që të përshtatet me kushtetutën e re të aprovuar përmes referendumit të muajit korrik, i cili e ndalon dhunën ndaj grave dhe siguron barazi mes gjinive”, shtoi ajo.
Në pjesët konservatore të Marokut ende konsiderohet plotësisht e papranueshme që një femër të humbet virgjërinë para martesës. Kjo gjë konsiderohet një trup jo vetëm për të por edhe për familjen e saj, qoftë edhe nëse është dhunuar.
Kufiri i moshës për themelimin e martesës në Maroko është mosha 18-vjeçare, përveç nëse rastin kur ekzistojnë edhe rrethana “të tjera specifike”, gjë që edhe ishte arsyeja kryesore pse Amina El-Filali u martua me dhunë, edhe pse ende ishte e mitur. Në raste të tilla gjykatësi mund të sugjerojë martesë, po qe se pajtohen të dyja palët. Mirëpo, aktivistët pohojnë se në këtë mënyrë bëhet presion ndaj familjes së viktimës për t’iu shmangur përfshirjes në skandal.
Edhe babai i Amina El-Filali e konfirmoi se, kur e kishte lajmëruar rastin e dhunimit të së bijës, zyrtarët e gjyqësorit i kishin thënë se ajo duhej të martohej.
"Prokurori më tha që ta martoja vajzën dhe me dhunuesin të bëja një kontratë”, theksoi ai.
Mediat lokale njoftuan se vajza u ankua te familjarët se burri që e dhunoi po e keqtrajtonte pas martesës, por këta të fundit nuk deshën që t’i viheshin në mbrojtje, dhe si pasojë vajza pastaj bëri vetëvrasje.
Dëshmitarët ndërkaq thonë se burri i saj ishte aq i zemëruar kur e kishte parë se ajo ishte helmuar, saqë e kishte kapur për flokësh dhe e kishte tërhequr zvarrë në rrugë. Menjëherë pas kësaj, Amina kishte vdekur.