Saro: Turizmi, instrument i diplomacisë kulturore mes njerëzve dhe ekonomive

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ishte pjesë e edicionit të parë të konferencës Albite, një event që solli në vëmendje rolin e gastronomisë dhe turizmit në zhvillimin ekonomik dhe kulturor.
Si pjesë e këtij paneli, Laura Saro, drejtore Ekzekutive e AIDA-s, theksoi se turizmi duhet parë si një instrument i diplomacisë kulturore që krijon lidhje të qëndrueshme mes njerëzve dhe ekonomive.
Saro nënvizoi rëndësinë e përvojave autentike, veçanërisht atyre të lidhura me gastronominë dhe traditat lokale, si një aset kyç për promovimin e Shqipërisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Beyond Destinations” vendosi në qendër të diskutimit turizmin si një koncept që shkon përtej udhëtimit klasik, duke u fokusuar tek përvoja, kultura dhe ndikimi i tij në zhvillimin e qëndrueshëm.
Ekspertë dhe përfaqësues institucionesh ndanë perspektiva mbi mënyrën se si turizmi mund të shërbejë si një urë lidhëse mes komuniteteve dhe një nxitës i investimeve.
AIDA vuri në dukje se Shqipëria ka potencial të madh për t’u zhvilluar si një destinacion i qëndrueshëm dhe konkurrues, duke ndërtuar një model që ndërthur turizmin, kulturën dhe investimin për përfitime afatgjata.
/e.i/j.p/