Rrëzohet projektligji për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të karburanteve

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse”, nismë e deputetit Eno Bozdo.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në fjalën e tij në prezantim të projektligjit, Bozdo u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është krijimi i një kuadri të posaçëm ligjor për menaxhimin efektiv të krizave në sektorin e hidrokarbureve të shkarkuara nga zhvillimet gjeopolitike ndërkombëtare, veçanërisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme.
Ky projektakt synon të pajisë vendin me instrumente ligjore dhe institucionale për të garantuar sigurinë e furnizimit, stabiliteti e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe ekonomisë kombëtare.
Një element thelbësor po ashtu është përafrimi me standardet e BE dhe të organizmave ndërkombëtarë të energjisë duke siguruar koordinim institucional dhe përputhshmëri me direktivat përkatëse evropiane.
Ndërsa, relatorja e çështjes, Besa Spaho, vuri në dukje se janë evidentuar disa problematika thuajse në të gjitha nenet e tij, sipas jurisprudencës kushtetuese ligji duhet të jetë i qartë dhe i parashikueshëm.
Mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme, ku më pas anëtarët e komisionit e rrëzuan në parim këtë projektligj.
Po ashtu, komisioni zhvilloi dhe një mbledhje të dytë, ku u prezantua Raporti Vjetor për vitin 2025 i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, teksa i ftuar ishte drejtori, Matej Zakonjšek.
Zakonjšek theksoi rolin aktiv të vendit në Komitetin Drejtues Rajonal, ku këtë vit Shqipëria mban presidencën, duke e konsideruar atë si një domosdoshmëri për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e prioriteteve strategjike.
Gjatë fjalës së tij, Zakonjšek u shpreh se ky raport përfshin analizën e zhvillimeve kryesore, vlerësimin e progresit gjatë vitit 2025, si dhe rekomandimet për përmirësimin e sektorit të transportit.
Duke parë mënyrat e përgjithshme të transportit në Shqipëri, gjatë vitit 2025 janë bërë disa progrese të cilat ishin të fokusuara në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator sa i përket transportit, përfshirë menaxhimin e aseteve rrugore, lehtësimin e transportit rrugor, linjën e gjelbër, projektet rrugore si edhe përputhshmërinë më direktivat e Bashkimit Evropian.
Pas prezantimit, mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme mbi raportin, ecurinë e zbatimit të reformave sektoriale, kapacitetet institucionale për planifikim, duke paraqitur edhe rekomandime për përmirësimin e performancës së sektorit, etj.
1 nga 4/gj.m/j.p/