E Diel, 1 Nëntor 2026

Sauku 13 ditë pa ujë, banorët bllokojnë rrugën në protestë

Banorët e Saukut bllokuan dje rrugën nacionale Tiranë- Elbasan në shenjë proteste për mungesën e ujit të pijshëm


Temperaturat e larta banorët e Saukut po i vuajnë me mungesën totale të ujit prej 13 ditësh. Ka qenë pikërisht ky problem madhor të cilët i ka nxitur ata të dalin në protesta dhe të bllokojnë aksin nacional Tiranë- Elbasan në shenjë proteste për mungesën e ujit të pijshëm.


Banorët ankohen se strukturat përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë ndaj këtij problemi dhe se po vuajnë me pa të drejtë ndëshkimin kolektiv sepse disa familje nuk kanë paguara faturat e ujit.


Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka reaguar për situatën e vështirë që po kalojnë qytetarët me mungesën e ujit dhe përgjegjëse për këtë bën qeverinë e cila nuk kalon ujësjellësin në varësi të pushtetit vendor.


Protesta


Për gati 30 minuta banorët e Saukut, në dalje të Tiranës kanë bllokuar dje aksin nacional Tiranë- Elbasan pikërisht për shkak të mungesës së ujit në shtëpitë e tyre. Rreth orës 08.30 minuta banorët kanë vendosur kazanë plehrash në mes të rrugës, pranë Akademisë së Policisë, duke bllokuar për gati 30 minuta lëvizjen e makinave në të dy kahet e rrugës.


Protesta ka shkaktuar radhë të gjata të makinave, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe kthimin e trafikut të automjeteve në normalitet. Protesta e banorëve vjen pas ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të furnizimi me ujë në Sauk nga ana e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve.


Banorët ankohen se prej 2 javësh vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm. Ata kërkojnë që të mos penalizohen të gjithë për këtë arsye, po pavarësisht ankesave të tyre pranë ujësjellësit nuk kanë gjetur zgjidhje të këtij problemi, ndërsa nuk u ka shkuar as uji me bot siç kishte premtuar Ujësjellësi.


Banorët


"Na kanë lënë pa ujë prej dy javësh. Ne jemi pagues të rregullt të ujit dhe nuk është aspak e drejtë që vuajmë kaq shumë mungesën e ujit në mes të verës në këto temperatura të larta" - tha njëri prej protestuesve, banor i Saukut. Sipas tyre Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve bën ndëshkime kolektive duke dëmtuar edhe ata që janë të rregullt me faturat. "Është e pamundur të jetohet në këto kushte jemi ankuar por askush nuk na ka dhënë zgjidhje.


Ata kërcënojnë se nëse uji nuk vjen gjatë brenda 24 orëve protestat do të nisin sërish me bllokimin e aksit nacional dhe nuk do të përfundojë deri në zgjidhjen e problemit. Ndërkohë ata theksojnë se po e blejnë ujin nga botet, por sasia që ato kanë mundur të marrin nuk mjafton as për mbijetesë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›