E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sazexhiu Rama kërkon t’i bjerë rishtas fyellit në një vrimë

“Kam më shumë frikë nga gabimet e mia se nga planet e armiqve” -Tuaditi -

Pasi heshti mjaft kohë si peshku, sazexhiu Rama deklaroi një ditë se do të qëndronte në krye të partisë. Do t’i binte rishtas fyellit në një vrimë. Do të legalizonte frymën e dështimit. Do t’i fuste socialistët në hullinë e platformave të tij të dështuara. Do të kënaqte egon e vet të shfrenuar. Do të konsolidonte rolin e liderit të padiskutueshëm. Do të mohonte fitoren e çertifikuar të 28 qershorit. Do të varroste, në fund, shpresat e socialistëve të thjeshtë për një alternativë të majtë shpresëdhënëse.
Të parët që mbetën gojëhapur qenë ata që kishin besuar se Rama do të jepte dorëheqjen. Por, edhe ata që e patën besuar si liberal. Ndërsa gjithë sa e patën krahasuar me Nanon, mbetën të zhgënjyer tek e dëgjuan Ramën të fliste kështu. Vetëm ortakët, që e dinin se ambicia e tij për pushtet, ishte më e madhe nga dashuria e tij për jetën, u ngazëllyen nga kjo frymë enveriste ku po e zhyste PS-në Rama. Ndërsa servilët mbetën pa frymë, idealistët e kujtuan Ramën të lajthitur. Ndërkohë “zagarët” po prisnin urdhërin se në ç’drejtim u duhej të lehnin. Çudí! Ç’qenë të majtë të përkushtuar, nisën t’i jepnin kurajë për të mos e rrëzuar veten dhe partinë kaq poshtë. Se nuk e justifikon dot fshehja e një humbjeje të çertifikuar shkatërrimin e imazhit të lidershipit të kësaj force politike. Ndërkohë askush nuk guxoi ta ngushëllonte për humbjen. I tronditur, Rama bëri veshin shurdh e syrin qorr dhe qeshi si një klloun me vete. Dhe i shëmbëlleu atij torollakut që, pasi ra nga fiku, kërkonte se ku i kishte shkuar qylafi. Të gjithë egoistët e sëmurë kështu largohen të turpëruar nga politika. Mirpo largimin e tyre duhet ta paguajnë ata që Ramë misionari u premtoi t’i bënte politikanë. I bindur se pa udhëheqjen e tij, as dielli lind dhe as hëna perëndon, Rama shkoi në ShBA t’u tregonte socialistëve se në ç’lis gjigand e kishte lidhur kalin. Por, kur atjé s’ia vari kush torbën, u mblodh grumbull si gjarpëri. Pastaj i përhumbur e mori veten dhe deklaroi me forcë se nuk e linte kreun e partisë. Shumë e kujtuan të dehur. Ca ia morën si një lloj testimi. Vetëm të korruptuarit e stazhionuar nuhatën se sazexhiut Ramë i qe shtuar më tepër oreksi për pushtet. Egoisti u zgjua brenda tij me fuqi të frikshme, ndërkohë që deliranti po i shihte shokët me keqardhje fyese. Ndërkohë frika e ndëshkimit për zullumet sikur ia zvogëloi ca tmerrin (Shpesh frika prodhoka edhe trima të çartur). Të gjithë socialistët iu dukën tani Ramës si ca miza dheu. Në veshë i buçisnin klithmat gazmore të gangsterëve të tij, të dehur nga madhështia e ligësisë. Zyra iu mbush me hosaná-të e mëkatarëve të trembur. Por, kur mbërriti në ekstazë, iu kujtua fundi qesharak i “qoftëlargut”. Iu kujtua dhe nastradini që qante, kur zbriste, ngaqë mendonte lodhjen e ngjitjes. Në fund,  iu shfaq i gjallë Ali Babai, kur humbi hajdutët e çetës. Dhe u tremb. U tremb sa mbeti ca net pa gjumë. Atëherë, as vetë nuk e kuptoi përse vendosi të lozë “bllofin”. Të tregonte se kish të drejtë të mos e pranonte humbjen. Të bindëte naivët se gomarllëqet e tij qënkëshin ajka e filozofisë politike. Se i mjaftonte edhe vetëm një Sanço që të fitonte çdo betejë. Mos vallë, prandaj deklaroi se nuk do të shkulej nga posti i kryetarit? Dhe s’e kuptoi përse i erdhi keq për veten. Për retorikën e tij liberale. Për idetë që s’ia kishin kuptuar. Dhe pyeti veten :”Kush do t’ia ngrijë të qeshurën në buzë fitimtarit ? Kush do t’i hartojë taní shpifjet ndaj kundërshtarit ? Kush do t’i frenojë reformat në Drejtësí? Kush ?!...
Dhe Rama nisi të stërvitej para pasqyrës. Një çast i pëlqeu  të paraqitej indiferent, i qeshur, optimist, “dorë e fortë”, pehlivan, misionar, idealist. Shkurt, Rama doli në ekran si një aktor i madh. Tamám sikur i kishte fituar zgjedhjet. Sikur idetë e tij ia kishin kërkuar hua në Amerikë. Dhe i dha vetes pamjen e njeriut të kënaqur që merr vesh se elektorati, para se të flejë, lutet për shëndetin e tij.
Ndaj bëri sikur u çudit, kur i thanë se vetë e kishte miratuar nenin statutor për ndërprerjen e mandatit të kryetarit, kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme. Këto ia tha njëri prej miqve të tij. Ndaj Rama klithi: “Edhe ti, o Brut, biri im?!”. Dhe kujtoi me nostalgji çastet, kur Enver Hoxha e zgjidhte veten Sekretar i Përgjithshëm. Kur i mbushte sallat me kongresmenë, që e lidhnin gomarin nga bishti. Kur me sejmenët porosiste parrullat, që do të hidheshin dhe propozimet që do të bëheshin para syve të tij. Kujtoi skenat kur rrethoheshin godinat e kongreseve me agjentë të policisë sekrete, veshur si dasmorë. Kur s’pipëtinte këmbë gazetari dhe kur votohej vetëm duke ngritur dorën. Kur fotografoheshin kokë për kokë delegatët, që brohoritnin “Enver Hoxha! Enver Hoxha!”. Të gjitha iu kujtuan Ramës dhe u qetësua. Pastaj qeshi me vete. Qeshi dhe me ata që mendojnë se komunizmi ka vdekur, kurse enverizmi është varrosur. Me ata që mendojnë se “politika e re”, shpikur prej tij, qënkësh vjetëruar. Se slogani “përtej së majtës e së djathtës” nuk na paskësh më fuqi. Por, befas një valë egërsie i pushtoi qënien. Instinkti i anarkistit iu zgjua papritur. Partia iu shfaq para syve si një mollë, që mund ta hante me tri të kafshuara. Ndaj kandidatët e shpallur për kryetar i futi në listën e tradhëtarëve, duke kujtuar se qysh këndohej dikur që botët e reja ngrihen vetëm mbi gërmadhat e të vjetrave. Dhe i përfytyroi si mjeranë gjithë të djathtët që besonin se paskëshin fituar zgjedhjet me vota, me copa letrash, me komisione numërími jashtë hyqmit të tij.
Shtrydhi trurin të mendonte ndonjë slogan të ri, por i vërtiteshin vetëm batuta të harruara, ku flitej për unitetin me “kopaçe”, për mirëqënien në urí, për moralitetin e degradimit, për besnikërínë e spiunimit, për bashkimet hipokrite “pa dallim feje, krahine dhe ideje!”, e tj. Dhe u mbush me frymëzim. U ngazëllye prej kësaj trashëgimie të pasur dhe, i papërmbajtur prej vetëbesimit, i hipi veturës të merrte kontakt me fshatarët. Me ata që i mikloi se do t’i bënte politikanë. Dhe ata të tillë qenë bërë taní vërtet. Të gjithë e kishin etiketuar Ramën shkaktar të humbjes së zgjedhjeve. Të gjithë kërkonin zbatimin e nenit të Statutit, ku kërkohej lënia e mandatit të kryetarit humbës. Të gjithë kërkonin taní një tjetër kryetar. Mbeti i shtanfgur, kur te porta e sallës, ku do të zhvillonte takimin, Rama lexoi fjalët “Ngeci karkaleci!”. Kurse në ballinën e podiumit, ku do të ulej me sejmenët e tij, qe shkruar ”Harro mushkë valarérë !”. Ndoshta prandaj, porsa Rama deklaroi se nuk largohej nga kreu i partisë, në sallë shpërthyen të qeshura. Me cilët ta realizonte, vallë, taní Rama kongresin e tij të jashtëzakonshëm enverist ?!... Ndërkohë sallës Rama iu duk si një fyell i gjatë. Për të dëgjuar avazin e fyellit me një vrimë do të zhvillohet Kongresi?!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›