E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasi i mashtroi socialistët për fitoren, tani Edvini po u vjedh votat në kongres

Edvini s’ka më kohë për të humbur dhe me bekimin e Gramoz Ruçit dhe xhaketave të vjetra ka vendosur të vjedhë formalisht edhe kongresin e 29 qershorit. Kryetari mandatprerë ka ngarkuar për manipulimin e votave Genc Gjonçajn dhe Bledar Doracaj, dy të punësuar të bashkisë së Tiranës, të cilat i quan si “çeta e Arkanit në PS”. Ata janë të ngarkuar të eliminojnë politikisht rivalët e tij në parti, përmes vjedhjes së paskrupullt dhe intimidimeve, njëlloj siç u përdor Arkani nga Milosheviçi për pastrimin e politikës serbe nga të padëshiruarit

TIRANE - Edi Rama, po shfrytëzon të punësuarit e bashkisë së Tiranës dhe “partnerët” e tij në biznes, për përzgjedhjen e komisionerëve lokalë, që do të “punësohen” në garën për kreun e PS-së, sipas parimit “një anëtar-një votë”.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Genc Gjonçaj, dhe një nga anëtarët e këtij komisioni Bledar Doracaj, janë “flamurtarët” që po përgatisin manipulimin e procesit zgjedhor sipas parimit “një anëtar-një votë”, për zgjedhjen e kryetarit të tyre.
Mësohet se kryetari i Komisionit Zgjedhor në parti, juristi Genc Gjonçaj, i cili përfaqësoi PS-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të 28 qershorit, është i punësuar në bashkinë e Tiranës. Ky fakt e komprometon drejtimin e Komisionit Zgjedhor në PS, për shkak se drejtuesi i institucionit ku ai është i punësuar, Edi Rama do të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së dhe Gjonçaj do të administrojë të gjithë procesin e votimit, që nga lista e anëtarësisë e deri te komisionerët që do të administrojnë dhe numërojnë votat. Ndërkohë, edhe ndihmësi i Gjonçajt, Bledar Doracaj, njihet si “partner” biznesi i Edi Ramës, për faktin se biznesin e tij familjar, shtypshkrime, e kryen për dhe me ndihmën e bashkisë së Tiranës, për të cilën “mbaron disa punë”. Bile ata shpeshherë, për të konfirmuar faktin se janë të pathyeshëm në zbatimin e skemave të kryetarit, e krahasojnë veten me eficencën që pati çeta e Arkanit në pastrimin e politikës serbe nga armiqtë e Milosheviçit. Por merret vesh se gjithçka është e paligjshme, por në partinë e Edvinit gjërat pak kanë të bëjnë me rregullat dhe statutin. Ngritja e komisionit të votimit është një akt krejt jostatutor, që s’i takon kryetarit mandatprerë, bile as Asamblesë partiake, por vendimi është marrë e rruga e manipulimit mund të quhet si zyrtarisht e hapur. Dje, Genc Gjonçaj, i “përkrahur” edhe nga ish-anëtari i komisionit zgjedhor në PS, Bledar Doracaj, u kanë kërkuar sekretarëve të rretheve listën e anëtarësisë dhe të komisionerëve lokalë. Mësohet se, jo më larg se dy ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Gjonçaj u ka nisur një shkresë zyrtare sekretarëve socialistë në rrethe, ku u kërkon të dhëna për listën e anëtarësisë së PS-së, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjen e kryetarit të PS-së që pritet të bëhen brenda muajit shtator. Gjithashtu në të njëjtën shkresë, kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS kërkon dhe emrat e komisionerëve që do të marrin pjesë në procesin e votimit. Kjo kërkesë është nisur nga vetë kryetari i këtij komisioni, pa zhvilluar më parë një mbledhje të këtij komisioni për të vendosur nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në parti. Ndërkohë në një shkresë të dytë, u jepen udhëzime dhe afate kohore të gjitha strukturave të PS-së në bazë, nga niveli i rrethit e deri tek ai i komunës dhe bashkisë, për verifikimin e listës së anëtarësisë së partisë, por dhe të komisionerëve lokalë, të cilët duhet të jenë kryesisht të rinj dhe me arsim të lartë.           
Por përkundër këtyre veprimeve dhe “korrespodencave”, Kodi Zgjedhor në PS përcakton nisjen e shkresave të tilla pas mbledhjes së Komisionit Zgjedhor, kur fillon nga puna me përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Në përbërje të këtij komisioni janë edhe Mirela Roshi, e cila është nënkryetare e komisionit, Vladimir Konomi, Fatmir Muçaj dhe Eno Bushi. Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, kur u përcaktua dhe rendi i ditës së Kongresit të jashtëzakonshëm, u duk qartë se kryetari aktual Edi Rama do të rikandidojë për të qenë sërish në krye të PS-së dhe pas humbjes së zgjedhjeve dhe ndërprerjes së mandatit. Kjo bëri që të nisnin menjëherë procedurat për përgatitjen e procesit zgjedhor, i cili do të jetë përmes parimit “një anëtar-një votë”.
Shkeljet që vihen re në procedurat për zgjedhjen e kryetarit të PS-ës janë më të rënda se të njëjtat zgjedhje, që u zhvilluan dy vjet më parë në radhët e kësaj partie. Në zgjedhjet e kaluara në PS, në vitin 2007, për kreun e partisë në nivel qendror dhe atë lokal, por dhe për delegatët e kongresit të PS-së, u denoncuan struktura të larta të PS-së në Tiranë, të cilat lejuan numërimin e votave për delegatët e kongresit në zyrat e selisë rozë dhe jo në një ambient publik dhe transparent për anëtarësinë që kishte votuar. Ky veprim solli skualifikimin nga statusi i delegatit të kongresit të PS-së të shumë figurave të njohura në forumet qendrore të PS-së së Tiranës, të cilët në mënyrë subjektive nuk u shpallën fitues në këtë votim.
Por tani, Edvini, një politikan pa din e pa iman, s’ka kohë për të humbur e është më i vendosur se kurrë që interesat e tij klanore të prevalojnë përballë çdo norme morale. Edvini i mashtroi për më shumë se dy javë socialistët se ai s’i kishte humbur zgjedhjes, se ai s’kishte gabuar në përçarjen e partisë e se ai do të bënte çmos që të mos linte institucionalizimin e pushtetit të ri. Por tashmë, pasi i mashtroi për historinë e rezultatit të zgjedhjeve, në rend të ditës ka dalë interesi ngushtësisht personal, ai i uzurpimit të fronit të kryetarit të partisë. Uzurpimi ndodh me vjedhjen e votave. Edvini socialistëve u vodhi ëndrrën për t’i kthyer në pushtet, por tani në rend të ditës ka ardhur vjedhja e mirëfilltë e votave brenda partisë. Me Genc Gjonçajn po regjistrohet një apogje i degradimit të forumeve brenda Partisë Socialiste, megjithatë mbetet për t’u parë se sa do të rezistojnë institucione që kanë rënë në pikë të hallit, qëkur janë shndërruar në kliente korruptive të bashkisë së kryeqytetit.

Nuk jep shpjegime, vendimet, udhëzimet apo vendimet, sipas të cilave ai ka ndërmarrë veprimet e tij individuale

Genc Gjonçaj konfirmon keqpërdorimin e vet dhe marrjen e misionit për manipulimin e kongresit

TIRANE – Genc Gjonçaj, kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, ka pohuar dje ndërmarrjen e tij për manipulimin e procesit të votimit për kreun e kësaj partie, sipas parimit “një anëtar-një votë”. Këtë veprim të tij, ai nuk ka lënë në harresë ta etiketojë si “një moment procedural në bazë të statutit”. Më tej, Gjonçaj ka vijuar shfajësimin për veprimin e tij individual, si një veprim që “i paraprin çdo date të mundshme që kongresi do të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve në parti”. Pa dhënë asnjë shpjegim se sipas kujt vendimi, udhëzimi, apo urdhri ai po kryen këto veprime në emër të komisionit që drejton dhe pa dijeninë e anëtarëve ët tjerë, Gjonçaj ka shpjeguar se, “komisionerët edhe para edhe pas kongresit zgjidhen po nga strukturat e Partisë Socialiste. Aktualisht po mblidhen emrat dhe konstituimi bëhet pas kongresit”, ka sqaruar Gjonçaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›