E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e budallait

Pasi po lexoja për kuriozitet intelektual letrën enciklike “Bamirësia e Vërtetë” të Papës Benedikti i XVI, drejtuar në radhë të parë katolikëve, e më pas besimtarëve laikë, e të gjithë njerëzve vullnetmirë, mbi zhvillimin njerëzor integral, në bamirësi dhe vërtetësi, u ula në tavolinë të reflektoja. Po, për dreq nuk arrita të mendoja asgjë atypëraty, sepse më dhëmbshin sytë nga pluhuri i Tiranës dhe nga Yjet, fasadat dhe spathijtë e kazinove të shumtë që hasa gjatë rrugës për të shkuar në folenë time. Asosiacioni që më erdhi, në neuronet pasqyrë, ishte lidhja “Bamirësia dhe Kazinoja”, por yjet janë komplet të ndryshme. Bamirësia është ylli i lindur në Betlehem, kurse kazinoja e ka yllin e Las Vegasit.
Mirëpo, të luash me fatin është një sfidë që individi sikur i bën Hyut (ose nëse preferoni fatit). Është pikërisht kjo që e bën tërheqëse dhe blasfemike në të njëjtën kohë. Mjerisht, sot lojërat e kumarit i gjen kudo nëpër Tiranë, në çdo cep, në çdo kryqëzim, në çdo qilar pallatesh ku luhet çmendurisht me fatin. Ta nisësh nga ish-Blloku deri tek Zogu i Zi janë me qindra yjet dhe assat spathi që mundohen të të kapin interesin tënd. Të paktë janë të disponueshëm të skandalizohen përpara kësaj pandemie. Po shteti si e shikon këtë fenomen? Shteti ka menduar t’i lerë të lulëzojnë këto biznese, që ajo t’u marri sa me shume taksa, duke e parë si një burim të rëndësishëm taksash për të mbledhur, pavarësisht varfërimit të popullsisë. Këtu është turpi më i madh, një Shtet i denjë për këtë emër, nuk duhet të lejojë  ushqehen këto iluzione. Mirëpo shteti nuk të vë një taksë
të tillë, është individi sagllam që i vë vetës  një taksë të budallallëkut personal e që paguan sa herë prek pragun e një kazinoje.    
Nga sofra në roullette/Thjesht një kapërcim që të shtin frikën, rrënqethëse për nga përmasa e humbjes së ekuilibrit akoma të brishtë të shoqërisë shqiptare, një ekulibër tashmë i sëmurë nga tumori më i ri qysh mbas ndërrimit të rendit politik bashkësisë shqiptare iu bashkua edhe: ai i lojrave të fatit. Për çudi. Sa hap e mbyll sytë sofra shqiptare u trasformua në një ruletë zari.
Më falni. Për ata që s’e dinë çfarë është sofra e roullett-ës është mirë që mos ta dinë, por detyra e lajmit me obligon të them se është një nga këto lojërat e fatit të rëndomtë ku fiton ai që gjen numrin dhe ngjyrën e vendit ku ndalon një zar i hedhur në një sofër që xhiron. Një lojë banale, ordinere ku i vetmi funksion i arsyes është të cilësojë me hamendje se ku fati do ta ndalojë zarin. E pra, siç e shikoni dëfrimi djallëzor i lojës kushton pritjen. Pritjen e kohës së humbur. Anglo-amerikanët kanë një shprehje të bukur si “time is money” koha është flori. Pra, floriri është kapital që fitohet duke mos e humbur kohën, duke mos pritur sa zari të bjeri në ullukun e dëshiruar blu apo kuq.Hynë duke qeshur e del duke qarë.
Fati në Jacpot/Interesi të gjurmoj këtë  fenomen më çoj të lexoj ligjin "Për lojërat e fatit”. Në një pikë Ligji thotë: “përpos se lojërat e fatit nuk duhet të qëndrojnë para ambienteve të shkollave dhe institucione fetare, ndërsa në hyrje të çdo subjekti privat që merret me këtë aktivitet duhet të vendosen në mënyrë të dukshme lojërat që ofrohen dhe mënyra sesi luhen”, por këto direktiva nuk zbatohen nga asnjë. Afërmendsh pastaj Shteti është një krijesë për të mirën publike dhe si rrjedhojë duhet t’i mbrojë e jo t’i dërgojë në gojën e ujkut. Njëherësh edhe impulset, pasionet e rinisë për tempujt e lojërave të fatit është një nga simptomat e krizës së vlerave të një shoqërie ku kultivohet vetëm një pasion: ai i lekut të fituar lehtë, pa punë, pa studim, pa mundim, pa sakrifica, pa solidaritet, pa ndershmëri.
Të kuptohemi, ai që luan në Jacpot luajnë ato që s’kanë çfarë të humbin, sepse milionerët e dinë se leku nuk fitohet aty brenda. Aty brenda fati (kapitali) vihet në lojë me bastin e mundshëm të një fitorje pa mund, pa djersë. Pa punë e pa mund - njeriu si kur hyn në vorbullën e zgerlaqes morale, e të ç’bërjes së arsyes.
Homo ludens/Dukshëm, ne kemi zhvilluar ma së miri lojën e bixhozit si anestetizim falas ndaj ndeshmërisë punës si vlerë, me lojrat e fatit ne himnizojmë përtacinë proverbiale kundrejt punës me ndjersë. Yjet, fasadat dhe spathjtë në hyrjet të bizneseve të probabilitetit të humbur tërheqin si magnet sharrimin e shqipatarit për pak lek qyl. Aman o zot! Shkojnë për qyl dhe kthehen në shtëpi si fatkeqë dyrdylë të nxirë, pastaj kur adrenalina nuk zbret gjatë rrugës për në shtëpi ajo kanalizohet shpejt në dhunë psikike dhe fizike në familje, shoqëri apo miqësi. Nuk i di statistikat sesa familje, miqesi janë shkatërruara nga lojrat e fatit babëzitëse. Gjithçka sa thamë - simbas mendimit tim - vjen kryesisht nga gjëndja fukarallëkut tej mase si material ashtu dhe ai shpirtëror (kupto: nihilizëm vlerash) që profilizohen në etje shtazarake, në uri për lek. Shqiptari nga homo sapiens u kthye në homo ludens.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›