Schieder-Ramës: Taksimi progresiv, rruga e duhur
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë vizitës së tij në Vjenë është takuar sot me Sekretarin e Shtetit për Financat Andreas Schieder. Në takimin lideri i opozitës ka marrë mbështetje të plotë për modelin e taksimit progresiv që PS synon të vendosë në qeverisjen e saj.
"Taksimi progresiv është rruga më e drejtë. Së pari jam i lumtur që munda ta ritakoj z.Edi Rama, të cilin kam vite që e njoh, prej funksionit të tij si një Kryebashkiak i suksesshëm i Tiranës dhe si lider i Partisë Socialiste. Sot ne folëm për ekonominë, në veçanti në lidhje me krijimin e një sistemi taksimi më të favorshëm e më të drejtë. Unë besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe i merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm; kjo do të thotë: taksa progresive; çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital etj; kjo sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet por të qëndrojë e bashkuar, kjo është e rëndësishme” ka theksuar Schieder.
Ai ka theksuar se është me rëndësi që të diskutohet mes dy vendeve, për shkëmbimin e njohurive, ideve, eksperiencave mbi se si do të krijojmë një sistem taksimi të drejtë e të favorshëm që gjithashtu mbështet rritjen ekonomike e punësimin.
“Ky është një debat që po ndodh tashmë në nivelin Europian dhe unë jam i lumtur që në të ardhmen e afërt do ta thellojmë këtë debat edhe me miqtë tanë në Shqipëri” ka shtuar Schieder.
Sekretari i Shtetit të Austrisë për Financat Andreas Schieder ofroi mbështetje të ekspertëve austriakë në fushën e financave publike për Programin e ri të Partisë Socialiste "Për një Rilindje Shqiptare".