E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mënyra më e mirë që të forcojmë Europën është të pranojmë Shqipërinë”

07-12-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takohet me Presidentin dhe Kryeministrin e Hungarisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndodhet për një vizitë  zyrtare në Hungari, ku po zhvillon takime me personalitetet më të larta të vendit, me fokus bashkëpunimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë.
Takimi i parë ishte ai me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, i cili i rezervoi një pritje të veçantë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, njofton zyra për shtyp e Kuvendit.
Kryeministri i Hungarisë, Orban dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, diskutuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në nivele edhe më të larta, duke përfshirë  bashkëpunimin në fushën e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, dixhitalizimit dhe rritjen e investimeve hungareze në Shqipëri,
Viti i ardhshëm shënon 90 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona dhe ky përvjetor është shumë i veçantë pasi përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.     
Në këtë kuadër, Kryeministri Orban dhe Kryetarja e Kuvendit, ndanë ide për organizimin e disa evenimenteve të rëndësishme në Hungari dhe në Shqipëri si një moment për të  promovuar Shqipërinë dhe imazhin e saj.
Parlamenti i Shqipërisë dhe Parlamenti i Hungarisë do të organizojnë në këtë përvjetor një sërë aktivitetesh të përbashkëta.
Gjatë takimit, duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Kryeministri Orban tha se duhet të ngremë sa më parë një Komision të përbashkët ekonomik, që do të fokusohet në investimet në infrastrukturë, bujqësi, në promovimin e turizmit, etj.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria është një vend i vogël, i mundësive të mëdha, që ka bërë progres falë një modeli të suksesshëm ekonomik.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vlerësoi si shumë të veçantë rritjen prej 4 për qind të ekonomisë në Shqipëri.
"Unë do vazhdoj të mbështes Shqipërinë dhe kjo është bindja ime e brendshme", theksoi Orban.
Pas takimit, Orban theksoi se "përtej marrëdhënieve të mira personale dhe historike, kemi shumë çështje të përbashkëta për të ardhmen, veçanërisht si të forcojmë kontinentin evropian. Kjo ishte çështja kryesore e diskutimeve sot, dhe se si mund të bashkëpunojmë që ta bëjmë Evropën më të fortë. Mënyra më e mirë që të forcojmë Evropën është të pranojmë Shqipërinë si pjesë e Bashkimit Evropian, sepse, Hungaria ishte në një situatë shumë të ngjashme me atë në të cilën Shqipëria është tani", tha Orban.
"Rekomandimi im për shqiptarët është se ju duhet ta kuptoni këtë situatë jo thjesht si një ëndërr, që ju do doni të anëtarësoheni në Evropë, por që Evropa ka nevojë për Shqipërinë. Evropa nuk është e fortë sa ç’duhet tani. Nëse dëshirojmë të bëhemi më të fortë si BE, kemi nevojë për shtete të reja, forca të reja, motivim të ri, kombe të reja – gjithë kjo është e mirë për BE-në", theksoi Kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Hungari, u prit dje në një takim edhe nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, Pál Schmitt.
Presidenti Shmitt e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Kryetares së Kuvendit, si një simbolikë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka një njohje të hershme me Presidentin e Hungarisë, Pál Schmitt, i cili përpara  detyrës si President ka qenë Kryetar i Parlamentit të Hungarisë. Kryetarja e Kuvendit ftoi Presidentin Pál Schmitt të vijë në Shqipëri në 28 nëntor të vitit të ardhshëm, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›