E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati qendra e re e diagnostikimit

Elbasan-Drejt përfundimit qendra e re e diagnostikimit në Elbasan. Qeveria shqiptare, me anë të Ministrisë së Shëndetësisë, qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” dhe në bashkëpunim edhe me një donacion austriak, mundësuan sigurimin e një fondi prej 120 milionë lekësh për ndërtimin e qendrës së re të diagnostikimit në Elbasan. Në këtë qendër do të vendoset skaneri, pajisja e mamografisë dhe ajo e gastrofibroskopisë, duke siguruar një cikël të mbyllur dhe të plotë ekzaminimesh në mënyrë të përqendruar me aparatura të fjalës së fundit të shkencës.

Sipas drejtorit të Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, Dr. Pjerin Xhuvani, qendra e re do t’u vijë në ndihmë banorëve të qarkut Elbasan e më gjerë, të cilët deri më tani ishin të detyruar t’i kryenin në Tiranë ose qytete të tjera ekzaminime të rëndësishme. Sipas tij, për këtë qëllim është përshtatur dhe rikonstruktuar një pjesë e godinës së ish-spitalit kirurgjik. Funksionimi i qendrës së ekzaminimit do të realizohet nga një staf i specializuar, i cili gjatë kësaj periudhe ka marrë njohuritë e nevojshme në Perëndim. Qendra e re e ekzaminimit dhe skaneri do t’i bashkohen kompleksit të ri kirurgjikal, i cili ka përfunduar si godinë e që pritet të arredohet e të mbushet me aparatura për t’u vënë në punë brenda verës së vitit që vjen. Investimi i qendrës së ekzaminimit dhe kirurgjisë së re është më i madhi në shëndetësi, ndodhur ndonjëherë për Prefekturën e Elbasanit. F. Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›