Schulz: PS konferencë për situatën
15/01/2010 Eurodeputetët thirrje PS-së për kthim në Kuvend
Për kreun e erusocialistëve zgjidhja duhet të gjendet mes palëve
Situata politike në vend dhe pozicioni i Partisë Socialiste përkundrejt institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jenë çështjet kryesore për të cilët e majta do të zhvillojë një konferencë në Tiranë. Kështu, me iniciativë të PS-së do të zhvillohet një tryezë, ku të pranishëm do të jenë dhe drejtues të partisë socialistë europiane, për të trajtuar situatën në vend. Një fakt i tillë u bë dje publik ka kryetari i grupit parlamentar të erusocialistëve Martin Schulz, që gjatë një prononcimi dha disa detaje të bisedës së zhvilluar mes tij dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. “Vendi ka nevojë për zgjidhje të forta dhe duhet të ketë një perspektivë evropiane dhe për këtë perspektivë evropiane duhet që të gjitha partitë në vend të gjejnë zgjidhje të përbashkëta. Ajo që bisedova me kryetaren e Kuvendit është se ç’mund të bëjmë ne si socialistë evropianë dhe diskutuam për disa refleksione të përbashkëta, por, siç u mora vesh dhe me Kryetaren, nuk dua t’i bëj publike”, - vuri në dukje Schulz lidhur me një çështje të tillë. Por nga ana tjetër ai përjashtoi mundësinë e një influencimi nga ana e partive simotra evropiane në qëndrimin e socialistëve shqiptarë përballë parlamentit. “Nuk më takon mua të influencoj te deputetët apo liderët e partive për çështje të brendshme. Unë e informova Kryetaren e Kuvendit në Shqipëri se socialistët po përgatitin një konferencë në Tiranë për situatën në Ballkan dhe ne do të flasim për situatën e Shqipërisë dhe të së majtës shqiptare në këtë konferencë”, - nënvizoi Schulz. Nga ana e tyre Jelko Kacin, eurodeputet i grupit të euroliberalëve dhe demokratëve, dhe Xhozef Daule, kryetar i Partisë Popullore Evropiane, i bënë thirrje PS-së që të kthehet në Parlament për vetë situatën në të cilin ndodhet vendi ynë, në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE.
Anëtarësimi i PS-së në PSE
Kongresi i Partive Socialiste asocioi pak kohë më parë Partinë Socialiste në familjen evropiane socialiste. Nëse vetë ky kongres përcaktoi qartazi modalitetet e këtij anëtarësimi, PS-ja nga ana e saj preferoi të japë versionin e saj mbi këtë çështje. Sipas statutit të PSE-së, do të thotë që anëtarët e asociuar kanë të drejtë të marrin pjesë në takime në të cilat ata janë të ftuar me të drejtën e shprehjes dhe të drejtën e iniciativës, por pa të drejtë vote. PS-ja nga ana e saj e konsideroi veten një parti me të drejtë vote në këtë familje.