Pesë të dëmtuar kërkojnë dëmshpërblim nga firma
15/01/2010 Gjirokastër, banorë të pallatit që u shemb nga ndërtimi një tjetri. Padi në gjykatë
GJIROKASTER- Pesë kryefamiljarë të dëmtuar nga shembja e pallatit pesëkatësh në lagjen “11 Janari”, ku humbën jetën 3 shtetas dhe u plagosën disa të tjerë, më 9 nëntorin e vitit 2008, kanë depozituar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër një padi civile ku kërkojnë dëmshpërblim nga firma “Arti” sh.p.k. Burime zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastrës, thanë se shuma që kërkojnë banorët e dëmtuar nga drejtuesi i firmës së ndërtimit “Arti shpk” Sotiraq Janora vlerësohet rreth 57 milionë lekë. Të gjithë banorët në fjalë premtojnë se do t’i shkojnë deri në fund këtij procesi për të marrë dëmshpërblimin që ju takon.
Akt ekspertimi i organit të akuzës ka vlerësuar dëmin e shkaktuar nga rrëzimi i pallatit në masën e 6.23 milionë lekëve. Sipas banorëve, është pikërisht firma e ndërtimit përgjegjësja kryesore për të dëmshpërblyer të gjitha familjet që humbën pasuritë e tyre dhe njerëzit më të dashur.
“Qeveria shqiptare ka luajtur rolin e vet ndihmës, duke akorduar 46.3 milionë lekë qysh në dhjetorin e 2008, çka konsiderohet ndihmë emergjence”, tha Sokrat Papadhopulli, i dëmtuar nga shembja e pallatit.