E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’do ketë persekutorë e të korruptuar në Gjykatën e Lartë

Partitë Demokratike është partia e parë politike që publikon kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët për në Gjykatën e Lartë. Përmes një letre zyrtare, të nënshkruar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, PD i përgjigjet letrës së një dite më parë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili iu drejtua të gjitha partive politike lidhur me caktimin e kritereve në përzgjedhjen e kandidaturave për Gjykatën e Lartë. Grupi parlamentar demokrat kërkon që kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike, të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit individë ose anëtarë të organizatave kriminale, të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi dhe ta kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre. Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit, do të kalojë përmes asistencës ligjore të posaçme të një grupi ekspertësh, i ngritur me propozim të Kreut të Shtetit. Ky i fundit, nisur nga nevoja për një proces sa më transparent u kërkoi dje partive parlamentare që të caktojnë kriteret që duhet të përmbushë një kandidat për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Nga ana tjeter, edhe partitë e opozitës po përgatiten të dërgojnë në presidencë kriteret e tyre. Kryetarja e grupit të deputeteve socialistë, Valentina Leskaj tha dje se kjo çështje do të trajtohet nga ekspertët, duke e konsideruar përgjigjen për presidentin si nje çështje teknike, për të cilën nuk do të ketë reagim politik. Partia tjetër opozitare, Levizja Socialiste Integrim, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Petrit Vasili, konfirmoi se kjo parti do të kthejë shumë shpejt përgjigje për Presidentin, duke patur në vëmendje kriteret që kanë të bëjnë me pastërtinë morale të kandidatëve dhe eksperiencën e tyre profesionale, në mënyrë që të garantohet pavarësia e Gjykatës së Lartë. Ndërkaq, Presidenti i Republikës Bamir Topi, dy ditë më parë, u dërgoi një letër me të njëjtin tekst, të gjitha partive parlamentare, ku pasi i vë në dijeni për proçesin e filluar nga grupi i punës, i kërkon atyre që deri më 30 qershor të paraqesin mendime dhe sugjerime për standardet që duhet të plotësojë kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë. “Partitë politike duhet të paraqesin deri ditën e hënë, më 30 qershor 2008 pranë grupit të punës për asistencë ligjore, mendime dhe sugjerime rreth standardeve dhe kritereve që mund të konsiderohen në përzgjedhjen e kandidaturave të anëtarëve të Gjykatës Lartë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e nisur krerëve të grupeve parlamentare. Tashmë partitë parlamentare, me anë të takimeve ose të korrespodencës, nuk do t’i drejtohen Presidentit, por vetëm grupit të punës. Nuk do të ketë asnjë takim direkt për këtë çështje, pasi Topi e ka bërë të qartë që gjithë procesin do ta realizojë grupi i punës, që nuk duhet të marrë nga partitë asnjë emër apo kandidature, pasi ekskluziviteti mbetet vetëm i atij, në bazë të Kushtetutës. Ndërsa një ditë më parë, Presidenca njoftoi se është mbyllur proçesi i dorëzimit të dosjeve nga ana e kandidatëve, që ka arritur deri në 105. “Të gjitha aplikimet e dorëzuara po përpunohen në Zyrën Juridike të Institucionit të Presidentit të Republikës për t’iu paraqitur më pas grupit të punës të ngritur nga Presidenti Topi për asistencë ligjore”, bëri dje të ditur drejtoria e informimit publik pranë Presidencës. Më tej njoftimi sqaron se grupi i punës do të mblidhet për të diskutuar dhe shqyrtuar kërkesat e mbërritura në Presidencë, si dhe për t’i paraqitur kreut të shtetit sugjerimet e tij për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në listën prej 105 emrash gjenden edhe pesë kandidaturat që u dekretuan nga Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, por që u rrëzuan nga Parlamenti. Të përndjekurit politikë të Shoqatës Antikomuniste, bënë të ditur dje se ata kanë propozuar sërish 3 emrat e propozuar dhe më pare. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Skënder Qendro, vazhdojnë të mbesin si kandidatura të tyre, “Artan Broci, Fuad Vjerdha dhe Shaqir Hasani”. Ai më tej sqaron se nuk e njihnin Medi Bicin si pjesë e kategorisë së të persekutuarve politikë, por edhe nëse është dhe ai rrëzohet me 86 vota, nuk është një shenjë e mirë për Parlamentin shqiptar.

 Alket Goce

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›