“Së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi”
17/12/2009 Berisha fton Ramën në një dalje të përbashkët për pyetësorin
Kryeministri garanton së do të dëgjojë propozimet nga opozita
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që e gjithë klasa politike shqiptare të japë kontributin e saj në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Menjëherë pasi mori pyetësorin e përpiluar nga Komisioni Europian, kreu i qeverisë iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të përshëndetur së bashku marrjen e pyetësorit. “Shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë eveniment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Në deklaratën e tij shefi i ekzekutivit theksoi se mazhoranca dhe qeveria është tërësisht e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë dhe të dëgjojë zërin e opozitës dhe ekspertëve të saj mbi të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori. Kryeministri Berisha përsëriti pozicionin për t’i dhënë opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme që të kontribuojë në procesin e integrimit europian me propozime konkrete. Në deklaratën e djeshme ai ka theksuar se qeveria do të jetë e kujdesshme ndaj përfshirjes së të gjithë aktorëve të rëndësishëm në këtë proces. “Qeveria ime dhe autoritetet shqiptare do të punojnë me përkushtim të madh, me një gjithëpërfshirje të spektrit politik, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, në mënyrë që përgjigjet që do të dërgohen në Komisionin Evropian të jenë më të vërtetat e të vërtetave”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Ai ka garantuar se rreth 800 punonjës të administratës shqiptare do të angazhohen me një intensitet të madh në studimin dhe plotësimin e pyetësorit tij dhe se Komiteti Ndërministror i Integrimit do të shqyrtojë çdo javë ecurinë e procesit.
Partia Socialiste
Forca më e madhe politike në opozitë nuk i është përgjigjur dje ftesës së kryeministrit Berisha për të përshëndetur marrjen e pyetësorit nga KE-ja. Me gjithë heshtjen ndaj kësaj ftese, burimet brenda PS-së thanë se kjo forcë politike i qëndron pozicionit të saj për hapjen e kutive të votimit. Burimet theksuar se lidershipi i PS-së është i gatshëm të dialogojë me qeverinë, por më parë Berisha duhet të hapë kutitë e të bëjë transparencën e votës së 28 qershorit.