Renditja e fituesve për secilin program
17/12/2009 Part-time, publikohen fituesit te Drejtësia, Ekonomiku, Shkencat Sociale dhe Shkencat e Natyrës
Sekretaritë e fakulteteve do të regjistrojnë fituesit deri në mbrëmjen e 18 dhjetorit
Detajohen listat me emrat e kandidatëve fitues të studimeve me kohë të pjesshme për Universitetin e Tiranës. Kandidatët që janë shpallur fitues pranë Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Sociale, Ekonomikut dhe Shkencave të Natyrës duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës për të bërë regjistrimin. Udhëzimi i regjistrimeve, i hartuar nga Ministria e Arsimit, ka përcaktuar si afatin e fundit të mbylljes së regjistrimit datën 18 dhjetor. Kandidatët që nuk regjistrohen brenda këtij afati kohor, humbasin të drejtën e studimeve për këtë vit akademik dhe vendet e tyre do të plotësohen nga kandidatët që janë më afër vijës së fituesve. Këta të fundit do të rishpërndahen në këto degë pas datës 22 dhjetor sipas një vendimi që pritet të merret në Ministrinë e Arsimit. Procesi i regjistrimit quhet i rregullt vetëm në rastet kur kandidati i shpallur fitues i bashkëngjit dosjes së dokumenteve të dorëzuara më parë dëftesën origjinale të shkollës së mesme (kjo vetëm për programet e para të studimit). Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Sipas rregullores së aplikimit, është e përcaktuar tashmë se kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjërin prej programeve ku kanë aplikuar, mund të kërkojnë kundrejt një kërkese tërheqjen e dosjes së dokumenteve që janë dorëzuar në fazën e parë të aplikimit. Nisja e procesit mësimor për të gjitha fakultetet publike që do të ofrojnë për vitin akademik 2009-2010 studimet me kohë të pjesshme do të bëhet në fillim të muajit janar.