Kontrolli, kapen 10 celularë në burgun 313
17/12/2009 Cilësohet si një ndër burgjet e populluar nga celularët dhe “vipa”-t
Telefonat kapen nga grupi i gatshëm që ndodhet pranë Drejtorisë së Burgjeve
TIRANË- Burgu 313-të është vënë në qendër të vëmendjes së Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve. Prej disa kohësh në këtë burg kontrollet e imtësishme për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara janë bërë të shpeshta. Një kontroll i këtij lloji është bërë edhe ditën e hënë në mbrëmje vonë. Burime pranë këtij burgu konfirmojnë se nga kontrolli i ushtruar janë gjetur dhe tashmë janë vënë në sekuestrim nga Drejtoria e Burgjeve 10 celularë. Celularët janë sendet, të cilat gjenden më shpesh nëpër burgje. Ndërkohë që bëhet fjalë për një nga burgjet e sigurisë së lartë që është 313-të. Kontrolli është ushtruar në orët e vona të ditës së hënë. Të paraburgosurit e Krimeve të Rënda që ndodhen në këtë burg janë gjetur në befasi. Drejtoria e Burgut bën të ditur se gati çdo ditë ushtrohen kontrolle në të gjitha dhomat e paraburgimit për të parë nëse gjithçka është në rregull. Ndërkohë që në këtë burg janë siguruar një numër shumë i konsiderueshëm personash, të cilët futen në rrethin e atyre që quhen “VIP”-a. Kontrolli është ushtruar nga grupi i gatshëm që ndodhet pranë Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve. Për çdo send të ndaluar vihet në dijeni drejtuesi i burgut dhe më pas edhe ata të drejtorisë. Të gjithë celularët grumbullohen në Drejtorinë e Burgjeve e më pas i nënshtrohen një tenderi. Por ndërkohë që kontrollet ushtrohen gati çdo ditë, përsëri në këtë burg, mbajtja e celularëve është bërë e modës. Nuk dihet se kush i fut këta celularë, për aq kohë sa ato nuk bëhen publike. Megjithatë, nga vet drejtoria disa kohë më parë është deklaruar se të paraburgosurit dhe të dënuarit bashkëpunojnë me punonjësit e policisë.
Vipat në qendër të vëmendjes së togës
Në burgun 313-të janë të sistemuar një numër i madh të pandehurish, të cilët kanë hyrë në listën e personave vip të krimit. Kështu përmendim Lulzim Berishën, Aldo Baren, Indrit Doklen, Mihal Delijorgjin, Dritan Minxhollin, Sokol Ngjeçi dhe shumë të tjerë, të cilat presion të gjykohen. Këta persona kanë pasur vëmendjen e veçantë të të gjithë punonjësve të burgut. Madje ata kërkojnë që trajtimi i tyre të jetë i veçantë e të mos ngatërrohen nga të tjerët. Bëhet e ditur se toga e shoqërimit, e cila merret me kontrollin e burgjeve dhe të paraburgimeve ka bërë një “krehje” të plotë të dhomave ku qëndrojnë vipat. Kontrolli në dhomat e tyre është bërë me kujdes të plotë edhe pse bëhet e ditur se disa prej tyre kanë kundërshtuar duke mos qenë dakord me një rregull të tillë të ndjekur. Ndërsa në dhomat e tjera janë gjetur disa celular, tek vipat celularët kanë qenë në numër të shumtë. Pothuaj të gjithë këta persona, të cilët duan më shumë vëmendje dhe kujdes në burg, janë trajtuar ndryshe gjatë kontrollit të ushtruar brenda në burg.