Rilindësit e “Botës së Re”
Ndërsa në rrugë buçiste kënga: ”Botën e Re do të ndërtojmë!”, ne, si fëmijë, nuk e kuptuam pse po na e zaptonin shtëpinë. Në mëngjes na urdhëruan dy civilë t’i zbrisnim plaçkat në qilar. Në mbrëmje mbërriti një kamion me kolltukë. Prej tij zbriti një burrë i moshuar, që dukej si prift, dhe një grua, që na dha nga një karamele. Ç’po ndodhte ? Errësira zbriti herët, ndaj në qilar ndezëm një qirí. Si kalamaj të përkëdhelur, menduam që dhe mysafirët kishin ardhur për të mos na lënë vetëm. Veç kësaj ishim dhe të shokuar, ngaqë të dy prindërit na i kishin arrestuar brenda një jave. Ndoshta prandaj na u desh kohë të mos besonim më se do të ktheheshin shpejt. Aq më tepër kur nuk e kuptonim pse i kishin marrë. Se si mund ta pranonim që babai ynë paskësh bërë faj, ngaqë kish kërkuar bashkimin e Shqipërísë me Kosovën? Aq më pak kuptonim që nëna jonë të paskësh bërë krim pse kish qarë me kuje të vëllanë dhe të nipin, që ndërtuesit e Botës së Re ia kishin pushkatuar krejt pa faj. Prandaj u hutuam fare, kur na thanë se në shtëpinë tonë do të banonte një funksionar i lartë shteti. Por këto që po rrëfej, i kuptuam më vonë, se ato ditë ne ishim, dhe të gëzuar, ngaqë atit tonë ia kishin kthyer dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm, kurse nënën e kishin pranuar në psikiatri. Siç na thanë, e gjora i kish klithur “Turp të kesh!” një Heroi Populli, i cili e paskësh këshilluar të martohej, ngaqë të shoqin nuk do t’ia nxirrnin gjallë nga burgu! Kurse neve na mundonte uría. Sidomos, kur na thanë që nuk mund të na jepnin triska buke, mbasi nuk kishim kryefamiljar në punë. Një Zot e di se ku mund ta gjenim këtë kryefamiljar ! Por më vonë e patëm kuptuar që ata nuk donin që ne të vazhdonim shkollën. Mbaj mend që tërë ato muaj nuk na ra asnjëherë të fikët, falë kujdesit të gruas së xhaxhait dhe asaj të dajës, të dyja me burrat e pushkatuar, të cilat na jepnim bukë nga racioni i fëmijëve të tyre. Ndaj qe si një dhuratë nga Qielli, kur njeriu i Perëndisë, i ati i zaptuesit të shtëpisë, një ditë na solli një bukë të tërë. Por i gjori plak i zbriti shkallët, vetëm kur kish parë të birin që qe larguar nga shtëpia. Mirpo dhe kjo nuk zgjati, pasi ne ia refuzuam bukën, porsa dëgjuam të pëshpëritej haptas se ne, kështu, do të shndërroheshim në lypsarë. Sidoqoftë, atë natë nuk patëm frikë, sepse sipër nesh dëgjoheshin zëra gazmorë. Por dhe neve na kish hipur një e qeshur, ndoshta nga gëzimi që na kish ardhur për darkë një kushërí i vogël... Megjithatë, asgjë nuk i shpëtonte syrit tonë. Kështu vumë ré që kur, të këputur nga uría, filluam të dilnim vonë nga qilari, plaku kish nisur ta pinte kafenë e mëngjesit te trandafilat e oborrit. Mos, vallë, na kish zënë pusí? Se, kur mësoi nga goja jonë përse nuk po ia pranonim bukën, u përlot dhe na pyeti nëse mund të bënim ndonjë lloj pune. Dhe, porsa dëgjoi përgjigjen tonë: ”Po ! Dhe ne mund të bëjmë ndonjë punë !”, i ndriti fytyra dhe na këshilloi t’i shkonim të birit në zyrë. Dhe kjo detyrë m’u ngarkua mua, ndaj atë natë nuk më zuri gjumi. Të kem shpresuar për ndonjë punë të lehtë, duke më parë moshën?...
Nuk mbaj mend sa orë m’u desh të prisja pas derës së funksionarit. Vetëm kur në paradhomë nuk mbeti njeri, më thirri një polic. Po më dridhej zemra. I “madhi” u soll më ftohtë, sesa kur më haste në oborrin e shtëpisë. Ndërsa prisja të më pyeste, ai heshtëte duke parë nga dritarja. M’u shtua frika. Më në fund u dëgjua një zë i zymtë.
- I kërkon punë partisë ti?
Aprovova me kokë.
- Po ti, - tha - ç’bën për partinë?! Si e ndihmon atë?! Ë!...
- Shkoj në shkollë... belbëzova.
- Po të pyes: ç’bën ti për partinë tonë?!
- Ç’të bëj?... pyeta i terrorizuar.
- Pse nuk vjen t’i tregosh partisë se ç’biseda bëjnë ato gratë, që ju sjellkan dhe bukë?!...
Më ra tavani mbi kokë!
- Hë, fol! E shajnë ato partinë tonë?!...
- Ato kanë shumë halle...
- E po për ato hallet e tyre na fol! Dhe, vetëm kur pa që isha gati të qaja, shtoi : shko taní dhe mendohu!...
Dola si të kisha shpëtuar nga një torturë. Në oborrin e shtëpisë u ndesha me njeriun e Perëndisë.
- Hë, ç’të tha? - më pyeti.
- Më kërkoi... të bëhem... spiun?!...
- Çfarë ?!!...Spiun ?! Ptu !...Pështyti në tokë. Pastaj lëshoi një klithmë dhe filloi të ngjitej në katin e dytë. U dëgjua një zhurmë. Një si thes me rrangulla u pa në fund të shkallëve. Vrapova ta ngre. Nuk munda. Plaku rënkonte. U pendova për fjalët që i thashë. Atë natë mbetëm pa gojë. Kur ambulanca erdhi dhe mori plakun, që kish nisur të fliste me vete, neve na dëbuan fare nga shtëpia. Dhe, ashtu, u endëm për vite të tëra nëpër bodrume të braktisura shtëpish të vjetra. Megjithatë, mbaj mend që ato ditë na vinte keq dhe për plakun. Shkonim e hipnim te muri i avllisë sonë dhe prisnim se mos e kishin kthyer. Gëzimi ynë ku vajti, kur e pamë të fliste me të shoqen. Mendja na shkoi se mund të na kthenin edhe nënën tonë! Dhe vërtet një ditë na e kthyen!... Veçse, pasi qe larguar përfundimisht nga kjo jetë!...