Së pari më lejoni në emër të qeverisë t'u përcjell familjeve të viktimave ngushëllimet e sinqerta dhe tani më lejoni të jap një pasqyrë të asaj që ka ndodhur sot në Minierën e Selen
Së pari më lejoni në emër të qeverisë t'u përcjell familjeve të viktimave ngushëllimet e sinqerta dhe tani më lejoni të jap një pasqyrë të asaj që ka ndodhur sot në Minierën e Selenicës.
Sot rreth orës 9.30, në Minierën e Bitumit Selenicë, ka ndodhur një incident i rëndë. Në këtë minierë, e cila është në pronësinë dhe administrimin e Shoqërisë franceze "SELENICË BITUMI" SH.A me Administrator francezin Patrick PASCAL, ka ndodhur një shpërthim i befasishëm gazi në frontet e prodhimit, në një kohë kur në turn kanë qënë 18 puntorë.
Menjëherë, sapo është marrë informacioni për këtë shpërthim të gazit në Minierën e Selinicës, me urdhër të Kryeministrit Fatos Nano, janë nisur në këtë drejtim, Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, Ministri i Shëndetësisë, Leonard Solis, së bashku me një grup të specializuar mjekësh. Po ashtu, janë angazhuar menjëherë në vendgjarje dhe autoritetet lokale prefekti i Vlorës, ndërsa grupi i avari-shpëtimit të Minierave ka filluar punën.
Është ngritur ndërkaq Shtabi i Emergjencës i kryesuar nga Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda.
Shifrat e deritanishme zyrtare në lidhje me incidentin janë: Kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit 5 minatorë, ndërsa janë të plagosur me djegie 9 minatorë, nga të cilët disa janë në gjendje të rëndë dhe një pjesë e tyre do të nisen në këto momente drejt spitalit të Brindisit, në Itali. Një prej të dëmtuarve është sjellë në spitalin e Tiranës. Në spitalin e Vlorës ndodhet një ekip i specializuar i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Shifrat janë dhënë nga Grupi i Emergjencës i cili është futur në minierë dhe ka konfirmuar se nuk ka më asnjë punëtor në minierë.
Prokuroria dhe organet e specializuara kanë nisur tashmë proçedurën e investigimit për arsyet teknike dhe menaxheriale që çuan në këtë ngjarje.
Ndërkohë, ju konfirmoj se Kryeministri Fatos Nano është nisur në drejtim të qytetit të Vlorës, ku do të vizitojë të aksidentuarit dhe do të ndjekë në vendngjarje këtë incident.