Mbledhja e sotme e Komitetit Ndërministror të Politikave Ekonomike analizoi ecurinë transparencën dhe problematikën e zbatimit të reformave të ndërrmarra në fushën e energjisë dhe të tele
Mbledhja e sotme e Komitetit Ndërministror të Politikave Ekonomike analizoi ecurinë transparencën dhe problematikën e zbatimit të reformave të ndërrmarra në fushën e energjisë dhe të telefonisë fikse, masat që duhet të ndërmerren për çuarjen përpara të këtyre reformave, si dhe prezantoi paketën e zbutjes së efekteve të tyre.
Në këtë mbledhje, u theksua që reformat do të vazhdojnë në rrugën e tyre pa kthim prapa duke bërë herë pas here një rivlerësim për impaktet sociale të tyre.
"Qeveria ka vullnetin politik për të shoqëruar me politikat e duhura sociale dhe mbulimin e shëprndarjen e kostove, proçesin e reformave të liberalizimin e tregjeve të telefonisë dhe energjisë për t'iu afruar në proçesin e integrimit standarteve të BE-së dhe të tregjeve globale, të thyejë monopolet, të nxisë konkurencën, të integrojë në proceset e konsumeve të burimeve strategjike të gjithë elementët që u sigurojnë mundësi zgjedhjeje konsumatorëve", tha Kryeministri Fatos Nano në përfundim të mbledhjes ndërsa është shprehur se Qeveria në këtë funksion do të marrë dhe iniciojë vendimmarrjen e duhur me të gjitha institucionet shtetërore të fushës.
Në funksion të propozimeve të Kryeministrit, u diskutua dhe u vlerësua marrja e hapave konkretë për materializimin në rrugë ligjore të këtyre propozimeve. Konkretisht, Komiteti Ndërministror i Politikave të Ekonomisë përcaktoi si detyra prioritare me axhenda kohore të përcaktuara qartë si më poshtë:
Të gjithë konsumatorët familjarët që kanë detyrime të pashlyera ndaj KESH për periudhën nga viti 1994 deri në 2000 do të trajtohen sipas një skeme për skedulimin e këtij borxhi me kusht që efektet të fillojnë nga momentet kur konsumatorit i instalohet matësi i energjisë dhe elektrike, dhe fillon pagesa sipas kritereve ligjore dhe respektimi i të gjitha kushteve të kontratës siç janë mosdëmtimi i sistemit të matjes, ndërhyrjet e paligjshme etj.
Realizimi sa më shpejtë i skemës së kompesimit financiar të shtresave në nevojë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave si dhe për përcaktimin e indeksit të pagave dhe pensioneve në këtë funksion.
- Hartimi i një planveprimi të detajuar për vendosjen e matësave elektrikë sipas ndarjeve administrative
- Shlyerjen e detyrimeve ndaj KESH të të gjithë institucioneve buxhetore më qëllim disiplinimin e shpenzimeve operative
- Sipas procedurave ligjore në fuqi shlyerja e faturave të KESH nga punonjësit buxhetorë, të cilët janë debitorë, do të bëhet nga listpagesat.
- Ngritja dhe funksionimi i task forcave operacionale ndërmjet policisë elektrike dhe asaj të rendit për të mbështetur operacionin e vendosjes së masave dhe ndërprejes së vjedhjes së energjisë.
- Reduktimin e tarifës doganore për gazin e lëngshëm në zero, shoqëruar kjo me një plan masash për një kontroll më të rreptë mbi tregun e gazit të lëngshëm për të shmangur rritjen abuzive të çmimit.
- Paraqitja e masave konkrete nga Ministri i Rregullimit të Territorit si dhe Ministri i Energjetikës për zbatimin me përpikmëri të ligjit në fushën e ndërtimeve për ruajtjen e energjisë në banesa dhe ngrohjen e ndërtesave me lëndë alternative me kosto më të ulët se energjia elektrike.
Ndërsa në lidhje me rishikimin e tarifave për Albtelekomin, në drejtim të zbutjes së efektit social, Komiteti Ndërministror pasi vlerësoi propozimet e hedhura nga Kryeministri i la detyrë Këshillit Mbikqyrës të Kompanisë, Ministrit të Telekomunikacionit dhe atij të Ekonomisë për të materializuar në rrugë ligjore variantin më optimal i cili është:
Tarifa për mirëmbajtje për kategorinë "Familjarë" ulet nga 300 në 200 lekë dhe të operohet më tarifa të diferencuara ku për 600 impulset e para tarifa ulet me 50%.
Gjithashtu, iu la detyrë Ministrit të Ekonomisë dhe atij të Telekomunikacionit për të përgatitur një paketë më të gjerë reformash me qëllim përmirësimin rrënjësor në menaxhimin e kësaj shoqërie dhe përgatitjen e saj për privatizim të suksesshëm.