E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së shpejti mblidhet Këshilli Koordinues Antikorrupsion

Presidentja Atifete Jahjaga së shpejti do të thërras mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues Antikorrupsion, thanë për Radio Kosovën, përfaqësues nga zyra e saj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar se shumë shpejt do të marrë iniciativë për themelimin e Këshillit Koordinues Antikorrupsion, por deri më tani, themelimi i këtij këshilli, vazhdon të jetë vetëm zotim i saj.

Këshilltarja e presidentes për çështje ligjore, Ariana Qosaj-Mustafa, tha për Radio Kosovën se tani më, janë në fazën e finalizimit të të gjitha procedurave për thirrjen e takimit të parë të këshillit.

Sipas saj, këshilli ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe aktiviteteve të institucioneve dhe shoqërisë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky është një forum i lartë. Ideja është që të ketë një koordinim më të lartë dhe më të mirë nën udhëheqjen e presidentes. Do të kemi edhe raportime lidhur me rezultatet që janë arritur deri më tani, sfidat e mundshme, që natyrisht, do të debatohen në këtë proces me nxjerrjen e disa qëndrimeve në aspektin se, deri ku kemi mbërri në luftën kundër korrupsionit”, tha për Radio Kosovën, këshilltarja e presidentes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›