E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca. PD-PS, debat për dosjet dhe kartat e identitetit

Patozi: “Ne fituam me ligjin e dosjeve, ju keni mbetur peng i së kaluarës”. Braçe: “Po krijoni skenare manipulimi për zgjedhjet e ardhshme”

Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha janë përplasuar gjatë seancës së djeshme në Kuvend për ligjin e dosjeve dhe kartat e identitetit. Deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë se po e përdor debatin e dosjeve për të fshehur krizën ekonomike dhe vështirësitë me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë si dhe për të fshehur manipulimin e zgjedhjeve. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, akuzoi Ministrinë e Brendshme për krijimin e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme duke lënë jashtë listave me mijëra shtetas, ndërsa deputetët e maxhoranës hodhën akuza ndaj opozitës për mosndarjen e saj nga e kaluara e regjimit komunist. Patozi, në emër të PD-së, u shpreh se qeveria nuk është përplasur kurrë me ndërkombëtarët. Sipas tij, ndërkombëtarët e pranojnë ligjin e lustracionit, ndryshe nga PS-ja që është kundër tij për shkak të dosjeve të saj.
Dosjet
“Gjykata Kushtetuese nuk ka arsye pse të mbrohet nga opozita, pasi ajo sot ka sulmuar aspiratat e vendit. Ju jeni të nervozuar pasi ne kemi fituar betejën për ligjin e lustracionit, pasi ne jemi për atë që shqiptarët duhet të ndahen me të kaluarën e hidhur të komunizmit. Gjykata Kushtetuese tregoi sot se anëtarët e saj, si Fehmi Abdiu, janë peng i dosjeve të tyre”, - është shprehur Patozi. Ndërsa zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se ligji i dosjeve mori vulën nga mbetjet e Partisë së Punës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Braçe tha se i gjithë debati për dosjet bëhet nga qeveria për të tërhequr vëmendjen nga kriza ekonomike dhe varfëria që ka pllakosur vendin. “Ju keni zgjedhur një çështje për ta mbajtur parlamentin të mbërthyer. Por unë ju kujtoj se kryetarin e Gjykatës Kushtetuese që ju sulmoni e keni votuar vetë. Por ju e përdorni këtë çështje për të mbuluar krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin”, - është shprehur Braçe. Ndërsa Majko e cilësoi bllof debatin për lustracionin, pasi, sipas tij, kjo bëhet për demagogji, por PD-ja humb edhe në këtë rast pasi nuk ka bërë asgjë për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Majko tha se ligji i dosjeve nuk është për të përndjekurit, por është për të hequr nga puna dhe ata pak veta që kanë mbetur dhe s’kanë dalë ende në pension.
Kartat
Braçe akuzoi qeverinë se ka thurur tashmë skemën e manipulimit të zgjedhjeve, duke lënë jashtë listave me mijëra qytetarë. Sipas tij, vetëm në Rrethin e Beratit janë lënë jashtë listave 10 mijë banorë me të cilët PS-ja ka kontaktuar dhe ekzistojnë, por nuk janë në lista. Ai tha se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta po shkon drejt dështimit. Sipas tij, asnjëri nga ministrat nuk e ka në dorë kartën e identitetit, jo më qytetarët e thjeshtë. “Edhe pse sot jemi një muaj nga fillimi i procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, asnjë qytetar shqiptar nuk ka marrë në dorë kartën e identitetit të prodhuar nga kompania e kontraktuar nga qeveria e Shqipërisë. Procesi nuk po ecën normalisht, po shkon drejt dështimit. Sot është data 16 shkurt dhe procesi nuk ka filluar në Berat. Listat e shpërndara nga ministri janë me mangësi serioze. Kjo po ndodh në të gjitha qytetet dhe është skemë e pastër manipulimi duke i hequr të drejtën e votimit rreth 10 mijë qytetarëve vetëm në Berat. Kjo është skema e manipulimit të Pones që është kryemanipuluesi i zgjedhjeve që nga viti 1996”, - është shprehur Braçe. Ndërsa zëvendëskryeministri Pollo u shpreh se deklaratat e PS-së janë demagji dhe përpjekje për të njollosur procesin parazgjedhor, i cili ka standardet më të larta të arritura ndonjëherë. Ndërsa ministri Nishani u shpreh se procesi po ecën normalisht në të gjithë vendin. Ai tha se në qytetet e mëdha janë hapur qendra të aplikimit dhe vetëm në Tiranë kanë aplikuar mbi 100 mijë banorë. Përparësi, sipas tij, u janë dhënë qytetarëve pa pasaportë.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›