Berisha: “Gati ligji për kreditë e familjeve që ndodhen në shtëpitë e ish-pronarëve”
Kryeministri Berisha ka bërë të ditur dje se qeveria do të sjellë shumë shpejt në parlament ligjin për dhënie kredie familjeve që kanë zënë shtëpitë e ish-pronarëve. Berisha është shprehur se ky është zotim elektoral i PD-së të cilin qeveria po e bën realitet. Berisha bëri të ditur se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 3 mijë familje që ndodhen në shtëpitë e ish-pronarëve. Në këtë mënyrë, do të zbatohet ligji dhe këto familje do të marrin shtëpitë me kredi, ndërkohë që do të lirohen shtëpitë e ish-pronarëve.
Kryeministri tha se ky është një zotim elektoral tashmë i realizuar, për të cilin janë marrë të gjitha masat dhe zbatimi i tij do të fillojë sa më shpejt, pasi i gjithë dokumentacioni përkatës tashmë është gati. Gjithashtu, kryeministri informoi se në ditët e ardhshme do të kalojë në parlament ligji për trojet në përdorim. “Janë me mijëra e mijëra familje autoktone të qyteteve, të cilat për babëzinë e diktaturës dhe për paranojën e saj që çdo gjë të ishte shtetërore, trojet dhe oborret e shtëpisë ua kishte përcakuar në përdorim. Tani ato do të kalojnë të gjitha në pronësi, ashtu siç atyre u takon”, - u shpreh kryeministri Berisha.
17 Shkurt 2009