E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e pavarësisë, Berisha: Një komb, një qëndrim


Berisha: “Jemi mbledhur në ditën kur mbylli sytë prijësi i vendit, Skënderbeu, në një akt të madh nderimi ndaj atij të cilit i detyrohemi ekzistencën e kombit shqiptar. Ne jemi mbledhur si përfaqësues të të gjitha trevave për të festuar fillimin e 100-vjetorit të pavarësisë. Këtë ngjarje ia dedikojmë faktit që ne në çdo kohë, në çdo furtunë qëndruam së bashku, thellë në shpirtin, zemrën dhe aspiratën e shqiptarëve. Thellë në shpirt qëndron parimi një komb, një qëndrim, asgjë nuk mund të ndajë shpirtin e një kombi, trupin po. Lavdi Zotit ne vijmë të lirë në sallë se qëndruam së bashku. Do kujtoj emra të çmuar që kontribuuan për pavarësinë: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Fan Noli. Në mënyrë të veçantë për përpjekjen për konsolidimin e shtetit shqiptar dha ndihmesë të madhe Mbreti i parë i shqiptarëve, Ahmet Zogu. Një nderim i madh në këtë ditë i takon plakut të urtë të Vlorës, i cili u shpreh kundër qëllimit të tryezave botërore për fshirjen e shteti shqiptar nga harta. Pavarësia e Shqipërisë ishte imponim i luftërave shqiptare në Kosovë dhe trevat e tjera. Sot nderimi më i madh i takon plakut mendjendritur, gjeniut vizionar, Ismail Qemalit, i cili në rrethanat më të vështira kombëtare dhe ndërkombëtare shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë, ndonëse në 1/3 e vendit. Ky vizionar e kishte të qartë se në tryezat e kohës ishte qëllimi fshirja nga harta e botës e shqiptarëve dhe shtetit të tyre”.

Jakup Krasniqi: Përvoja e të parëve të na shërbejë sot
“Pavarësia e Shqipërisë, data e shpalljes së saj, është një datë e veçantë edhe për Kosovën, pasi nga ajo datë pati vetërilindije dhe rilindje. Emra të shquar si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari, që mund të barazohen me simbiozën mençuri dhe trimëri, sollën përvjetorë të tillë që nuk mund të jenë veç bazament reflektimi dhe politika sot duhet të marrë shembull nga këta emra. Duke marrë shkas nga kjo plejadë e lavdishme, udhëheqësit e sotëm t’i thërrasin mendjes për harmoni, të veprojnë me arsye, të shërbejnë me mirëkuptim, të bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e veseve. Shqipëria, pavarësisht se nga kush qeverisej, është dhe do të mbetet shtet i shqiptarëve, kudo ndodhen ata. Mund të ndërrohen formacione të administrimit, por Shqipëria, shteti i shqiptarëve, të gjallë e të shuar, do të jetojë për jetë të jetëve. Të nderuar bashkëkombës, në këtë përvjetor jubilar nuk dua të fsheh ndjenjën e krenarisë, kënaqësinë. E kundërta do më shpërfytyronte, Shqipëria do jetë në jetë të jetëve e lirë dhe e pavarur”.

Jozefina Topalli: Nderojmë etërit e kombit
“Sot jemi për të celebruar ditëlindjen e madhe kombëtare. Ne këtë vit nderojmë të lirë ngritjen e flamurit të finalizuar në Vlorë. Në historinë tonë kombi ka festuar ditëlindjen dy herë, e para në 1444-ën dhe 1912-ën, për të mbërritur në pavarësinë e Kosovës. Gjatë Rilindjes, para dhe gjatë Lidhjes së Prizrenit e më pas te dita e flamurit, përpjekjet ishin të mëdha. Ideali dhe qëllimi i shenjtë i Skënderbeut ishte bashkimi i shqiptarëve. Feja e shqiptarëve është Shqiptaria, Pashko Vasa i parapriu shekullarizimit me këtë shprehje. Ne nderojmë ata që lexuan deklaratën e pavarësisë. Historia për krijimin e shteti shqiptar nuk ishte vetëm histori gjaku, por edhe djerse dhe vizioni që përjetuan të ardhmen e vet dhe të tonën. Pa veprën e tyre ne nuk do kishim Shqipëri, Kosovën, flamurin dhe kombin. Ndaj ne festojmë me liri ditën tonë të flamurit. Shqiptarët festojnë dhe i falen flamurit të Skënderbeut, i cili përmbledh kujtimet e një kombi”.

10:56 - Seancë për 100 vjetorin e pavarësisë

Tiranë - Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një seancë e posaçme parlamentare në çelje të përgatitjeve për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Sali Berisha do të mbajë një fjalë përshëndetëse në këtë seancë, ndërsa të ftuar do të jenë edhe deputetë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Aktivitete me motive popullore do të zhvillohen edhe jashtë dyerve të Kuvendit të Shqipërisë. /Start/

                                                                                             2012-01-17 13:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›