Seancë e veçantë dëgjimore për Shqipërinë në Komisionin e PE

Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian autoritete shqiptare do të raportojnë në një seancë të veçantë në lidhje me procesin e integrimit. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu dhe Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, do të marrin pjesë në seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian (AFET) ku do të diskutohet mbi zhvillimet politike në vend, zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për 12 prioritetet dhe zhvillimet e fundit në rajon. Seanca do të drejtohet nga kryetari i këtij komisioni, eurodeputeti gjerman, Elmar Brok.
Gjithashtu ministri Haxhinasto do të drejtojë takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, që do të zhvillohet në Bruksel, në datën 15 maj 2012. Delegacioni i Bashkimit Evropian në këtë takim kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, z. Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, z. Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, z. Fernando Xhentilini.
Gjatë takimit do të vlerësohet progresi që ka bërë Shqipëria në plotësimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian, zbatimin e MSA-së, zhvillimin ekonomik në vend, përafrimin e legjislacionit dhe mbi qasjen e politikës së jashtme shqiptare në rajon. /E.L/