E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e Gruevskit do mbylljen e shpejtë të çështjes Smilkovski

Nikolla Gruevski / Foto arkiv

Partia VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit është e interesuar që sa më shpejt të mbyllet procesi gjyqësor lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Burime pranë kësaj partie i thanë agjencisë së lajmeve INA  se janë të interesuar që të mbyllet sa më shpejt procesi gjyqësor lidhur me vrasjen e 12 prillit, për të cilën ngarkohet grupi i të arrestuarve gjatë operacionit Monstra.

Ne jemi të interesuar që të mbyllim këtë kapitull dhe për këtë MPB dhe kryeministri Gruevski ka thënë se ka dëshmi të forta që argumentojnë se grupi i pesë të dyshuarve të parë, dy prej të cilëve janë në arrati, janë kryerës të vrasjes së pesëfishtë. Pavarësisht dilemave, në këtë rast nuk do të ketë politikë dhe fjalën do ta thotë drejtësia në bazë të provave dhe dëshmive, theksojnë burime pranë partisë maqedonase në pushtet.

Nga kjo parti theksojnë se BDI-ja nuk duhet të ndërhyjë në politizimin e këtij procesi gjyqësor. Nga ana tjetër, partia shqiptare si pjesë e koalicionit BDI-së ka theksuar se do të ketë proces të drejtë gjyqësor dhe transparent dhe do të shmangen dyshimet dhe tentimet për montim politik apo tendenca të tjera.

BDI-ja ka bërë të ditur se nuk përjashton që në këtë proces gjyqësor dhe hetimor të përfshihen edhe ekspertë të huaj. MPB ka të dyshuar gjashtë persona si grupi që ka kryer vrasjen e pesëfishtë, dy prej të cilëve janë në arrati. MPB para mbylljes së hetimeve akuzoi grupin e shqiptarëve se janë pjesëtarë të grupeve radikale islamike. INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›