Buzhala: Kërcënimet e Krasniqit janë primitive

Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka reaguar gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës lidhur me deklaratat e dy ditëve më parë të deputetit Florin Krasniqi, duke thënë se është i shqetësuar për këtë kërcënim të drejtpërdrejt të deputetit Krasniqi ndaj kryeministrit Hashim Thaçi.
Buzhala deklaratat kërcënuese të Florin Krasniqit, i ka quajtur si formën më primitive të reagimit njerëzor e politik të bëra ndaj institucioneve dhe liderëve shtetëror.
“Ky ka arritur të jetë deputet në formën siç ka ardhur, në mënyrë të turpshme e kërcënoi kryeministrin, se do ia thyej dhëmbët. Çfarë ndodh me një shoqëri? Ne si grep parlamentar kërcënimet i konsiderojmë si formë më primitive, akt i pashembullt. Ne si grup parlamentar duam t’i garantojmë, qytetarët se as grushtet e as thyerja e dhëmbëve nuk do të tejkalojnë votën e lirë. Ne besojmë se nuk ka asnjë grusht që do ta thyente vullnetin e popullit”, ka thënë ai.
Më tutje, deputeti i PDK-së, Berat Buzhala ka kërkuar nga drejtuesit e Vetëvendosjes dhe lideri i saj Albin Kurti që të jap sqarime nëse kërcënimet e Florin Krasniqit janë qëndrime të tij personale apo të gjithë partisë.
Dy ditë më parë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, gjatë një konference për medie të mbajtur para Gjykatës Komunale në Prishtinë, kur pritej të mbahej seanca e padisë që ai kishte bërë ndaj kryeministrit të vendit, ka deklaruar se është i gatshëm për ballafaqim direkt me Thaçin, madje edhe t’ia thyej dhëmbët.
Por dje deputeti tjetër i kësaj lëvizje, Glauk Konjufca ka përdorur një fjalor më shumë politik, duke thënë se kryeministrit Thaçi duhet t’i thyhen konceptet, jo dhëmbët.
Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje është bërë partia më e zëshme opozitare dhe që bën kritika të shumta, madje edhe të ashpra në adresë të Qeverisë dhe kryeministrit Hashim Thaçi. /kosovapress/